Epilogu i Superiores/ Rregullorja për Europën dhe klasifikimin
Me 4 javë nga fundi i kampionatit të 83-të Kombëtar të futbollit, Abissnet Superiore është futur te faza e nxehtë e objektivëve sezonalë.
Në fundin e javës së 36-të do të mësohen përfundimisht verdiktet e 10 skuadrave në garë. Veçmas atyre që i përkasin titullit kampion apo rrëzimit, rol vendimtar për klubet shqiptare merr edhe pjesëmarrja në kompeticionet e UEFA-s.
Klubet që do të fitojnë të drejtën e përfaqësimit nga Superiorja do të përcaktohen si në vijim:
Rregullorja për një biletë në kompeticionet e UEFA-s:
- a) klubi që shpallet kampion në “Abissnet Superiore” në sezonin 2021-2022, do të marrë pjesë në turin e parë të Ligës së Kampioneve.
- b) klubi që shpallet fitues i Kupës së Shqipërisë, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës.
- c) klubet që renditen në vendet 2 dhe 3 në klasifikimin përfundimtar të “Abissnet Superiore” do të marrin pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës.
- d) nëse klubi i shpallur kampion i Superiores fiton njëkohësisht edhe Kupën e Shqipërisë, atëherë ekipi i renditur në vendin e katërt në klasifikimin përfundimtar, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës; e) nëse klubi i renditur në vendin e dytë ose të tretë, fiton njëkohësisht edhe Kupën, atëherë klubi i renditur në vendin e katërt do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës.
- f) nëse skuadra e shpallur kampione, fiton njëkohësisht edhe Kupën dhe nëse skuadra finaliste e Kupës është e renditur në vendet 2 dhe 3, atëherë skuadra e renditur në vendin e 4-t, do të marrë pjesë në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës.
Regullorja e klasifikimit:
Nëse dy ose më shumë ekipe kanë grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, renditja e tyre në tabelën e klasifikimit përcaktohet duke mbajtur në konsideratë kriteret si më poshtë:
- a) pikët e grumbulluara në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
- b) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e zhvilluara midis ekipeve përkatëse;
- c) diferenca e golave të shënuar dhe të pësuar gjatë kampionatit për sezonin futbollistik 2021-2022;
- d) numri më i madh i golave të shënuar gjatë kampionatit;
- e) short. Në përfundim të sezonit përkatës, klubi i renditur në vendin e 8-të në Abissnet Superiore, do të zhvillojë një ndeshje me fituesin e ndeshjes play off mes klubeve të renditura në vendet 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë.