Luhet ‘europa’, Kukësi- Partizani hap javën

Abissnet Superiore: Java e 32, Kukësi- Partizani 16:45 ‘Kukës Arena’

Erga Kenga

Do të luhet këtë të martë supersfida e javës së 32-të Abissnet Superiore ndërmjet Kukësit dhe Partizanit duke i hapur udhë gjithë sfidave të tjera që parashikon kalendari.

Në ‘Kukës Arena’, me fillim orën 16:45, dy skuadrat me pikë të barabarta teksa ndajnë vendin e tretë dhe të katërt do të masin forcat pikërisht në impiantin më të ri sportiv në vend, inaguruar në 23 prill në verilindje.

Ekipi i Longos prej 6 javëve pa fitore (2 humbje dhe 4 barazime) ka lëshuar terren te zona e europës ndërsa me humbjen e fundit ndaj Teutës 1-4 në ‘Niko Dovana’ ka vendosur në pikëpyetje pozicionin e vendit të tretë apo të 4-ët. Ndaj të kuqëve formacioni do të jetë sërish pa portierin Tafas ndërsa probleme ka edhe për Mustën.

Te Partizani situata duket entuziaste. Në shifra duket e kundërta e Kukësit, pasi Partizani në 5 ndeshje të fundit, numëron 3 fitore dhe 2 barazime. I mungon lojtari kryesor në mesfushë Matondo (kartonë). Por nëse rezultatet teknikë janë tregues në rritje, kriza e pozicionit të trajnerit Dritan Mehmeti për vijimësinë, shihet si problemi i ri te ekipi i presidentit Gazmend Demi.

Kreu i klubit ka deklaruar se trajneri ka besimin e tij, por së fundi, në shtypin e ditës, shpesh janë lakuar emrat e Brdariç dhe Longos si pasues të Mehmetit. Fill pas mbylljes së sezonit. Një rebus me vete.

Ndërkaq, kjo ndeshje i është besuar gjyqtarit Eldorjan Hamiti. Ndërkombëtari nga Lezha ishte ai që gjykoi edhe në inagurim Kukësi- Laçi (0-0).

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!