Gjashtë vite në UEFA, Kosova realiteti i ri…

Gjashtë vite bën sot FFK e cila është anëtarësuar si Federata e 55 e UEFA-s në Budapest në 3 maj 2016 ( 28 vota pro, 24 kundër dhe 2 abstenime).

Për këtë arritje historike për Kosovën, ka përcjellë një mesazh edhe kreu i FFK-së Agim Ademi.

Mesazhi:

Sa herë vjen 3 maji me të drejtë përfshihemi nga emocionet dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Kjo datë për shtetin tonë, e sidomos për komunitetin e futbollit është e një rëndësie të veçantë.

Si sot, 6 vjet më parë, për Kosovën ishte një ditë feste me përplot emocione. Federata e Futbollit e Kosovës në Kongresin e mbajtur në Budapest arriti ta thyejë izolimin e padrejtë 25-vjeçar, duke u bërë anëtare me të drejta të plota e UEFA-s. Kësisoj, u përmbush ëndrra e kahmotshme dhe u shpërblye sakrifica e shumë gjeneratave të futbollistëve të Kosovës.

Nga ajo ditë futbollit të Kosovës iu hapën dyert e prezantimit në garat ndërkombëtare dhe filloi epoka e zhvillimit.

Sot, gjashtë vite më vonë, futbolli ynë ka shënuar përparime të dukshme dhe vazhdon pakthyshëm rrugëtimin e tij drejt sukseseve të reja, përmirësimit të infrastrukturës, masovizimit, edukimit të kuadrove të reja, reformave të garave dhe rritjes së cilësisë.

Në këtë ditë të veçantë, dua t’u shpreh mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kontribuuan në pavarësimin dhe rrugëtimin e futbollit kosovar që nga viti 1991, e që numri i tyre është jashtëzakonisht i madh; donatorëve të klubeve, familjeve që dhuruan tokat e tyre për t’i shndërruar në fusha futbolli, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve e punëtorëve sportivë të cilët përkundër represionit e maltretimeve rezistuan dhe e ruajtën lojën më të bukur në botë për ta mundësuar rrugëtimin drejt anëtarësimit në UEFA.

Mirënjohje e veçantë ish-prijësve të FFK-së, Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani, Fadil Vokrri si dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre për punën e vazhdueshme deri në jetësimin e objektivit të shumë gjeneratave.

Urime e na priftë e mbara!

BASHKË PËR FUTBOLLIN!

Me respekt,

Agim Ademi, president i FFK-së

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!