Prezantohet Vanoli, Dinamo luan 11 finale

Trajneri: Ibraimin e njoh që kur luante te Maribor, I di kualitetet e tij. Do ta drejtoj gjatë Dinamon.

Sot te klubi i futbollit Dinamo pati zhvillime. Sipas asaj që vetë klubi kishte parashikuar, në orën 10:00 ,u zhvillua prezantimi i trajnerit të ri Rodolfo Vanoli.

Italiani 59 vjeçar ka punuar kryesisht në Slloveni ndërsa me Koper fitoi Kupën dhe Superkupën e Sllovenisë, ndërkohë që fitoi edhe titullin kampion me Olimpija Ljubjana.

Në konferencë, ai tha se objektivi kryesor është qëndrimi në Superiore, por projekti i tij është afatgjatë.

Vanoli:

“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu, jam krenar që do të drejtoj një nga klubet më historike të futbollit shqiptar. Objektivi im i parë është derbi me Tiranën, por gjëja më kryesore është ta mbyllim sezonin me objektivin për të shpëtuar sezonin.

Do bëjmë më të mirën për klubin dhe presidentin, që ta kalojmë këtë situatë. Kemi folur pak me presidentin, por ajo pak që folëm na bindi për të vazhduar përpara. Kam folur edhe me lojtarët, ata kanë dëshirë për të dhënë më të mirën dhe për të lënë pas krahëve situatën e vështirë, ata do të japin maksimumin.Unë e njoh prej kohësh Dinamon, e kam ndjekur ekipin, kemi miq të përbashkët me presidentin.

Nuk na u desh shumë për të rënë dakord, dhe sot ja ku jam këtu. Pranova të jem këtu, pasi kam dëshirë të jap maksimumin dhe të ndihmoj skuadrën. Kam shumë besim se do të bëjmë mirë.

Çfarë duhet ndryshuar te Dinamo? Rezultatet, kjo ka rëndësi në futboll. Duhet të ndryshojmë edhe qasjen tonë. I thashë lojtarëve që ne bëjmë punën më të bukur në botë, por duhet të fitojmë, përndryshe fillojnë shkarkimet e trajnerëve dhe situata bëhet stresuese.

Lojtarët duhet të marrin edhe përgjegjësitë e tyre, nuk është vetëm faji i trajnerëve të mëparshëm.Janë 11 ndeshje, janë shumë pikë në lojë. Jemi këtu për të tentuar zgjidhjen e problemeve dhe për të rikthyer klubin në majë. Por në fillim duhet të shpëtojmë.

Na presin 11 finale. Këto janë motivet që duhet të kemi çdo ditë.Unë mendoj se do të kem një rrugëtim tjetër krahasuar me Morieron. Kam 10 vjet që punoj jashtë Italisë. Tentoj të ndjek të gjithë kampionatet. Duke bërë edhe ndeshje në Europa League e njoh mentalitetin dhe realitetin në Shqipëri apo Kroaci.

Në skuadër është Ibraimi, një lojtar i rëndësishëm, ai ishte te Maribori kur drejtoja Koper në Slloveni, e njoh kualitetin e tij. Djemve u them që të fokusohemi te ndeshja e së shtunës dhe të bëjmë maksimumin. Sot jemi mbrapa, duhet të rikuperojmë pikët.Do të jemi në një proces rritje.

Derbi përballë Tiranës? Në jetën time kam mësuar të respektoj të gjithë. Luaja në transfertë përballë emrave si Maradona, Gullit dhe Van Basten. Çfarë do të thotë kjo, se nuk duhet të dalim në fushë? Nuk do zbresim në fushë si humbës. Kemi respekt për Tiranën, ata kanë një grup të mirë, por e përsëris: kam respekt dhe jo frikë.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!