Rajonale/ Tirana finalistja e parë U14

Ka nisur nga dita e hënë turneu i ekipeve përfaqësuese rajonale për moshat U-13, U-14 dhe U-15.

Në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz janë zhvilluar ndeshjet për grup-moshën nën 14 vjeç. Ndeshja e parë ka qenë Tirana-Lezha, që përfundoi me fitoren 3-0 të djemve kryeqytetas me golat e shënuar nga Elson Himallari, Mateo Maçi dhe Glen Gugalli.

Ndërsa, në sfidën tjetër, Durrësi-Shkodra i përfunduan 90 minutat me rezultatin e barabartë 4-4, ndërsa me penallti triumfuan djemtë shkodranë me rezultatin 10-9.

Më pas, u luajt ndeshja finales mes Tiranës dhe Shkodrës, që u fitua nga tiranasit me rezultatin 5-0 me gola të shënuar nga Ismail Ademi, Mateo Maçi, Glen Gugalli, Kevin Zhega dhe Daors Vllahu. Përfaqësuesja U-14 e Tiranës drejtohet nga trajneri Artion Poçi.

Në sfidën për vendin e tretë dhe të katërt u vunë përballë Durrësi dhe Lezha, ndeshje kjo që u fitua nga lezhjanët  e drejtuar nga trajneri Alket Kruja me rezultatin 1-3.

Turneu do të vijojë ditën e martë me përballjet e moshës U-14, që luhen në Fier e ku marrin pjesë përfaqësueset rajonale të kësaj grupmoshe të Fierit, Elbasanit, Korçës dhe Gjirokastrës.

ë pranishëm në ndeshjet e zhvilluar sot ishin Drejtori Teknik i FSHF-së, Giancarlo Camolese, Sulejman Mema, trajnerët e moshave Ardi Behari, Ervin Bulku, Armand Damo dhe Agron Kërçova.

Gjithashtu, këtë turne po e ndjek edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Roger Meichtry, i cili është këshilltar i jashtëm i Uefa-s për “Elite Youth Development player”. Meichtry do të ndjekë nga afër edhe ndeshjet e ditës së martë mes ekipeve përfaqësuesve rajonale Fierit, Elbasanit, Korçës dhe Gjirokastrës.

Ky turne ka si qëllim evidentimin e elementëve të rinj që aktivizohen në kampionatet rajonale të FSHF-së dhe vëzhgimi i mëtejshëm i tyre nga stafi i ekipeve Kombëtare, për të përzgjedhur më tej futbollistët e rinj të ekipeve kombëtare të moshave. Ky turne është fryt i një pune disa mujore, ku trajnerë dhe specialistë të ekipeve kombëtare ndjekin nga afër stërvitjet dhe seleksionimet e ekipeve rajonale, ku bëhet edhe përzgjedhja e talenteve të reja që marrin pjesë në këtë turne që zhvillohet dy herë në vit.

Finalet që do të përcaktojnë fituesin e secilës grup-moshë do të zhvillohen në datat 15 dhe 16 dhjetor në stadiumet “Selman Stërmasi” ose “Elbasan Arena” ose Qendrën e Ekipeve Kombëtare, Kamëz. (FSHF)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!