Edicioni i 12-të, analiza e futbollit të femrave

Kampionati i femrave uli siparin e edicionit të 12-të të tij pak javë më parë. Një kampionat që, për ata të cilët e kanë ndjekur, kanë vënë re ndryshime pasi janë suprizuar shpeshherë, duke qenë se gara ka qenë më e fortë dhe emocionet më të mëdha. Megjithatë, ekipi shkodran i Vllaznisë, edhe këtë herë nuk u lëkund dhe kryesoi bindshëm me pikë të plota kampionatin deri në fundin e saj.

Në edicionin e kaluar, kampionati përbëhej nga vetëm 9 ekipe femrash, të cilat luanin përgjatë 18 javëve me njëra-tjetrën. Këtë sezon, falë edhe mbështetjes së Federatës së Futbollit, janë shtuar edhe tre ekipe të tjera. Futbolli i femrave është në vëmendjen e veçantë të qeverisë së futbollit shqiptar, që dëshiron të garantojë edhe njëherë, se futbolli është për të gjithë.

Tirana, Partizani dhe Lushnja, tre ekipet më të reja që iu shtuan kampionatit kanë bërë një sezon të mirë.

Tirana mund të quhet edhe si surpriza më e madhe e këtij sezoni. Ndonëse debutonte në kampionat, skuadra bardheblu ka qenë një ndër ekipet më konkurruese, duke zënë vendin e tretë në kampionat pas 22 javësh dhe duke rrezikuar shpesh edhe vendin e dytë të fierakeve të Apolonisë, të cilat renditen me 4 pikë më shumë dhe që e siguruan vendin e dytë vetëm në javën e 20-të. Kryeqytetaset treguan kësisoj se nuk u futën në garë thjesht për të pasur një ekip më tepër në futbollin e femrave, por treguan se dinë çfarë do të thotë garë. 50 pikë të grumbulluara në 22 javë kampionat, nga 66 pikë të mundshme. Jo pak për një ekip të sapokrijuar dhe për vajzat e reja që tashmë futbollin nuk e luajnë më veç për pasion. Kanë shënuar gjithsej 129 gola, ku golashënuesja kryesore e ekipit është Kesjana Goro  dhe vetëm 22 gola të pësuar gjatë këtij edicioni të parë për Tiranën. Ky duhet konsideruar si një rast suksesi i ardhur nga vajzat bardheblu, që në fillim të edicionit, shumë prej tyre nuk njiheshin me njëra-tjetrën, por arritën shumë mirë të krijonin frymën e grupit dhe të bashkëpunonin me njëra-tjetrën.

Një tjetër ekip iu shtua kryeqytetit, skuadra e Partizanit. Dhe bashkë me këtë ekip, tifozët nuk do t’i kishin më sytë veç nga derbi i meshkujve, por edhe nga ai i femrave. Vajzat e kuqe realizuan një sezon të mirë, ku edhe ato, ashtu sikurse ekipi i bardhebluve, një pjesë e tyre takoheshin për herë të parë me njëra-tjetrën. Partizani renditet fiks në mesin e tabelës, në vendin e gjashtë, me 37 pikë, ku kanë fituar 12 ndeshje, kanë barazuar vetëm njëherë dhe kanë humbur 9 të tilla. 82 gola kanë shënuar kundrejt 53 golave të pësuar, ky është golavarazhi i një Partizani të ekipit të femrave, që për herë të parë merr pjesë në një garë sportive të organizuar. Vajzat e kuqe, të udhëhequra nga dëshira për të ushtruar këtë sport arritën që në këtë sezon të parë të tyre në kampionatin kombëtar të femrave të rrezikonin shpesh ekipet e mëdha si Vllaznia, Apolonia, Tirana AS, apo Juban Danja, ekipe që ishin pjesë e familjes së madhe të futbollit të femrave.

Ekipi i Lushnjes, megjithëse nuk ishte aq i suksesshëm sa dy ekipet e kryeqytetit, është megjithatë një shembull për t’u marrë. Pavarësisht renditjes në tabelën përfundimtare, vajzat e Lushnjes nuk u dorëzuan në asnjë moment, por thjesht e jetuan momentin. Pasioni për futbollin dhe dëshira për të luajtur këtë lojë ishte mbi rezultatin e ndeshjes. Për to, nuk kishte rëndësi se nga çfarë rezultati hynin në ndeshjen pasardhëse, për to kishte rëndësi veç të luanin futboll profesionist, në një kampionat që premton të rritet. Dhe ekipi i Lushnjes duket sikur në këtë edicion u bëri thirrje të gjitha vajzave që të bëheshin pjesë e futbollit.

Ky ishte një sezon për t’u mbajtur mend, ashtu sikurse do jetë çdo edicion tjetër i kampionatit të femrave. Një ndër prioritetet kryesore të Federatës së Futbollit, ashtu sikurse është theksuar disa herë është futbolli i femrave, ku përveç mbështetjes morale, materiale, është tashmë edhe ajo financiare. Strategjia e ndërtuar për të zhvilluar më tej futbollin e femrave ka filluar të funksionojë që në këtë edicion që po lëmë pas. Dhe kjo siç u tha, vihet re në shtimin e tre ekipeve të reja, që do të thotë më shumë vajza në futboll, që përkthen një ndër pikat e strategjisë, që është “masivizimi i futbollit të femrave”. (FSHF)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!