Rama: Mediat ia fusin kot, Partizani korrket me pagat

Drejtori i Përgjithshëm i Partizani Olsi Rama, ndikuar nga lajmi i djeshëm se te Partizani ka bojkot nga futbollistët për paga të prapambetura, doli sot në krah të Dajës në konferencë për shtyp teksa sqaroi opinionin sportiv për situatën më të re në klubin e kuq.

Drejtori Rama:

“Në fakt u zgjova në mëngjes me këtë lajmin e botuar dhe ta kisha ditur që do dilte një lajm i tillë nuk do të isha unë këtu, pasi do të ishte ose lojtari më i vjetër te Partizani, Alban Hoxha, ose ndonjë nga ata veteranët e tjerë që kanë kohë në ekip, si Bardhi apo Belica që po bën tre vite.

Vinin ata t’ju tregonin korrektësinë e klubit të Partizanit me pagat, t’ju tregonin të gjithë mënyrën se si procedohet. Në nivel thashethemi nuk ka nevojë të sajohen gjëra që shkova unë urgjentisht dhe fola me ekipin, sepse për çudi fare nuk u kam folur lojtarëve dje.

Kam qenë aty kur nisi stërvitja dhe e pashë nga kafja sipër. Mjafton të shikohet te tatimet rregullsia e pagesave të Partizanit. Përveçse paguajmë më shumë se të gjithë, jemi më të rregulltit me pagesat që bëjmë. Këtë mund ta shikoni.

E kam ngritur zërin edhe për ‘fair-play’-in financiar, sepse mjafton të shikoni taksat që paguan Partizani në buxhetin e shtetit dhe t’i krahasoni ato me të klubeve të tjera. Janë qesharake taksat që paguajnë klubet e tjera.

Me aq sa paguajmë mund të merrnim edhe 3-4 lojtarë të tjerë të nivelit të lartë. Atëherë do ta vrisnim kampionatin. Ne kemi punën tonë, vazhdojmë drejt, korrekt me pagesat dhe respektin për stafin dhe lojtarët.

Të kishte dalë lajmi dje do dilte ndonjë nga lojtarët, Albani, Belica, Bardhi ose ndonjë nga djemtë e tjerë më të rinj, që t’i thonin ata se çfarë do të thotë të jesh lojtar i Partizanit. Kam shumë besim te presidenti Demi dhe e di se asnjë lojtar apo trajner që nuk i ka marrë të gjitha lekët që u detyrohet klubi deri në fund.

Kemi rastin e fundit, William Melo, i cili u pagua deri në ditën e fundit që ka punuar te Partizani. Madje edhe pak më tepër, sepse iku pa u mbyllur prilli. Këto janë muhabete kot dhe nuk e di pse dalin një ditë para derbit. Megjithatë nuk ka rëndësi fare kjo, ne vazhdojmë punën përpara”.

“Fjalim para ekipit? Kam mbajtur një para ndeshjes me Skënderbeun dhe ju keni qenë i pranishëm. E keni parë që foli trajneri përpara. Jam pothuajse përditë në stërvitje. Nuk ka nevojë të jem çdo ditë. Nuk e ndjej të nevojshme të jem atje, pasi gjërat shkojnë shumë mirë.

Iki për kënaqësinë time, të flas me trajnerin e të pi ndonjë kafe. U kam thënë edhe lojtarëve se jam shoku juaj, miku juaj, edhe avokati juaj në të gjitha gjërat që ndodhin. Jam edhe drejtori. Nuk kishte asgjë përtej normales që të shkojë ta flisja. Kemi raporte shoqërore”,tha drejtori Rama.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!