Vllaznia dërrmon Laçin, Teuta nuk sheh ‘kalorsin’

Gjysmëfinale: Vllaznia- Laçi 1-0 / Teuta- Skënderbeu 0-2

Finalja e 30 majit njeh finalistet. Për edicionin e 69-të trofeu i Kupës do të diskutohet mes Vllaznisë së Shkodres dhe Skënderbeut të Korçës.

Ndonëse Vllaznia shihej si kandidate për të kaluar kurbinasit, surpriza vjen nga Durrësi aty ku Teuta mundet pastër nga Skënderbeu 0-2.

Në Shkodër një Vllazni e kristalizuar dhe mjaft e vendosur për të vënë poshtë bardhezinjtë që prej javësh e kanë humbur timonin. Një goditje këndi dhe askush nuk ndërhyn te shtylla e parë për të larguar. Dalja e gabuar e Sherrit dhe goditja perfekte e shtatshkurtërit vlonjat Ardit Hoxhaj, prodhojnë golin e Vllaznisë në të 22-ën.

Më pas është sërish Vllaznia që dominon derisa vjen sinjali i fundit i pjesës së parë nga Xhaja ndërkombëtar. Edhe në të dytën kur Duro hodhi në fushë Mazrekajin gjërat levizën fare pak për laçianët. Harmon si forcë e freskët nuk ndryshoi asgjë dhe vetë Mazrekaj disi nervoz, përpiqej të zgjidhte vetë situatat duke e tepruar shpesh me mbajten e topit.

Për Xhixhën me shokë, asnjë shënjë ‘jete”. Nga ana e saj Vllaznia e meritoi plotësisht kualifikimin. Ansambli shkodran interpretoi mjaft mirë takimin dhe pas 6 trofeve të deritanishëm në Kupë, do të tentojë të 7-in ndaj Skënderbeut.

Finalistja tjetër Skënderbeu, i dha një dush të ftohtë Teutës në Durrës. Një penallti e minutës së dytë shndërruar në gol nga Meksi dhe një tjetër gol ardhur nga Elvi Berisha në fund të fraksionit të parë, i siguruan finalen skuadrës nga Korça. Teuta dhe Laçi jashtë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!