Derbi “rilindi” Partizanin, Laçi iu “tregon targën” të gjithëve. Ku po shkon Vllazni?!

Nga Prof. Dr.Xhevdet Zekaj

Më në fund, pas disa gabimeve radhazi, mbaroi edhe “dhjami” i Vllaznisë. “Rezervat” e akumuluara të pikëve i mbajtën shumë në krye kuqeblutë, falë hapave falsë të ndjekësve. Pas javës së 24-t të Superiores kemi një lider të ri në kampionat, Laçin. Me plot meritë, po të kihet parasysh vetëm një fakt tepër domethënës: 5 fitore dhe 1 barazim në 6 ndeshjet e fundit jashtë fushe. Kuptohet, këtë status mund ta kishin marrë edhe më parë bardhezinjtë e Shpëtim Duros, por edhe ata kanë bërë gabime të papritura rrugës, sikurse ishte ai me Apoloninë në shtëpi.

E meqë jemi te fierakët, ata kanë meritën se janë shndërruar në “mace e zezë” për dy pretendentët e titullit: Partizanin dhe Laçin. Kjo gjë do t’u kujtohet me krenari, edhe nëse zbresin nga Superiorja, sikurse janë të gjitha gjasat. Rezultatet flasin vetë, ndaj fjalët janë të tepërta për të përshkruar kurbinasit, mjaft të konsoliduar këtë sezon, me ambicie maksimaliste, falë edhe dyshes drejtuese Laska-Duro. Duket qartë se tashmë do të jetë e vështirë t’ua marrë kreun tjetërkush, edhe pse rivaliteti në pjesën e sipërme të renditjes është si kurrë më parë në këtë kampionat.

Disa fjalë për Vllazninë, e cila ka javë të tëra që po mundohet të shohë dritë në fund të tunelit, por akoma pa “derman”. Rezultatet zhgënjyese radhazi janë bërë aq shumë, sa me të drejtë u vu në pikëpyetje serioze trajneri Brdaric. Humbja e kreut do të jetë një tjetër goditje psikologjike për kuqeblutë, në rrugën vijuese të sezonit.

Parimisht, presioni do të rritet më tej, sepse “votëbesimi” i trajnerit duket një apel i fundmë i drejtuesve të klubit për të ndryshuar kurs. Kuptohet, kjo është më shumë në dorë të futbollistëve, që shumë mirë bënë duke dalë në mbrojtje të trajnerit të tyre. Veçse, nëse kjo gjë rezulton si një “grushtbashkuar mëkatarësh” për të vijuar nga disfata në disfatë, koha nuk pret.

Nëse trajneri kroato-gjerman justifikohet me të drejtë se nuk ka ekzistuar si objektiv titulli kampion, në kushtet e lojtarëve që ka Vllaznia në krahasim me rivalët e tjerë, apo pozitat e saj në sezonet e shkuara, kur ka provuar edhe rënien në Kategorinë e Parë, nuk ka më shpëtim për askënd, nëse rrezikohen edhe Kupat e Europës.

Në fakt, me këtë ngjeshje të disa skuadrave në pjesën e sipërme të renditjes, edhe ky objektiv bëhet më i vëshrtirë se ai për titullin. Përgëzoj klubin që e “votëbesoi” Brdaric në stol, sepse ka bërë vërtet një punë të madhe, na ka kënaqur me futbollin që ka luajtur Vllaznia, por në fund të fundit rezultatet të mbajnë dhe të heqin në pozicionin e trajnerit. Edhe pse dua ta them me forcë, referuar humbjes së fundit me Bylisin, se kuqeblutë duhej të kishin fituar thellë.

Rastet flagrante të shpërdoruara nga lojtarët e Vllaznisë nuk mund t’i gjesh as në kategoritë amatore. Sidoqoftë, zgjidhja për këtë është sërish përgjegjësi e trajnerit; qoftë duke i “kalbur” në stol këto lloj lojtarësh, që nuk shënojnë dot me portën bosh, qoftë duke punuar më tepër me ta në aspektin e finalizimit. Personalisht jam i mendimit se më tepër se për analiza tekniko-taktike, kuqeblutë kanë nevojë për një psikolog tashmë, që të kthejë tek ata vetëbesimin e humbur.

Këtë javë u luajt derbi i tretë sezonal i kryeqytetit. Pa tifozët e pranishëm është e vështirë të përjetohet me tërë antagonizmin e vet dueli Tirana-Partizani. Edhe kësaj here kjo përballje titanësh mbeti në kufijtë e asaj që dhanë lojtarët në fushë. Pikërisht aty, në orën e së vërtetës, pas dy zhgënjimeve radhazi, të kuqtë e Ilir Dajës e treguan veten.

Për mua ishte një fitore e dyfishtë e Partizanit. Së pari, sepse iu afrua kreut ndjeshëm dhe së dyti, sepse ndali “revanin” e bardhebluve, të cilët me fitoret pararendëse radhazi po bëheshin kërcënim për kreun e Superiores. Me këtë frenim, Tirana duhet t’i bëjë llogaritë më tepër për zonën europiane, edhe pse matematika e lejon për më shumë se kaq. Dy gjëra mund të evidentohen nga ky derbi: përforcimet e bujshme të janarit në të dyja skuadrat nuk kishin asnjë ndikim.

Madje, për atë që kanë dhënë deri tani, mund të konsiderohen dështim. Kuptohet, duke ditur pagat stratosferike që marrin në kushtet e futbollit tonë dhe të krizës së pandemisë. Partizani duhet të evitojë luhatjet e fazës së tretë, të mos përsërisë më gafa si ato ndaj Apolonisë dhe Skënderbeut të vendeve të fundit, nëse vërtet do të shpallet kampion. Sinjali që dha në derbi tregon se ka nxjerrë mësime. Megjithatë, ka ende rrugë për mirë dhe keq. Kreu dhe titulli është sa afër, aq edhe larg, nuk mjafton të fitosh vetëm përplasjet me rivalët direktë, por edhe ata të mbijetesës. Sepse, sikurse e përsërit shpesh Ilir Daja, pikët janë njësoj të vlefshme ndaj çdo kundërshtari.

Dy gabime radhazi, në këtë pikë të kampionatit, me këtë garë të ndezur për titullin, janë vërtet shumë për Teutën. Barazimet në Ballsh dhe në shtëpi me krutanët nënkuptojnë pikë tepër të çmuara, të lëna rrugës. Nëse transferta mallakastriote është e vështirë për këdo, fitorja në shtëpi me Kastriotin ishte detyrim.

Pavarësisht mungesave të rëndësishme, Martini ka në dispozicion një grup të zgjeruar dhe cilësor lojtarësh. Edhe me skuadrën e dytë po të përballej, nuk do të kishte më pak potencial se krutanët. Të paktën në letër. Luhatjet e hershme të sezonit po kthehen, një sinjal shqetësues për bregdetarët. Ndërthurja e Kupës së Shqipërisë, ku “djemtë e detit” duhet të sfidojnë Kukësin në çerekfinale, nuk është një moment frymëmarrjeje. Përkundrazi, rrit presionin dhe ngarkesën. Duhet reagim i shpejtë, përndryshe gjërat përkeqësohen sa hap e mbyll sytë në klasifikim, duke parë si po lëvizin gjërat në pjesën e kreut.

Të qenit aktualisht në një gjatësi vale me Vllazninë dhe Partizanin, si ndjekës të Laçit kryesues, është një ngushëllim, por kjo vlen nëse dy ndeshje vlejnë 9 pikë, jo 2 pikë, si në sfidat e fundit me Bylisin dhe Kastriotin.

Nuk po ndalem shumë te zona e mbijetesës, sepse gjasat janë që Skënderbeu dhe Apolonia t’i thonë lamtumirë Superiores në fund të këtij sezoni. Pavarësisht përpjekjeve të tyre të dëshpëruara dhe për t’u përgëzuar, situata është e tillë, sa të mos iu bëjë “derman” as matematika, që i mban në lojë për të kundërtën.

Bylisi bëri një hap gjigant drejt mbijetesës me fitoren në Shkodër, ndërsa Kastrioti ka krijuar distancë, sa për t’i lejuar vetes edhe ndonjë hap fals, nuk po themi “dhuratë”, për të cilën u akuzua në të shkuarën e afërt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!