Halili pa frena: Tirana e ka 7 pikë larg kreun

Presidenti Halili sulmon me fjalë Astrit Hafizin prezent në ‘Gol pas Goli’: “Po shkove në Shkodër të hedhin nga Buna”

Refik Halili flet për Supersport teksa sqaron momentin e largimit të Nevil Dedes dhe i bën një rezyme të gjatë klubit të tij bardheblu. Në fund e kthen personale me ish trajnerin e Kombëtares Astrit Hafizi prezent si analist në ‘Gol pas Goli’. Nuk dihet se ç’farë pati në mendje kur tha se Tirana është vetëm 7 pikë larg Vllaznisë …

Halili ndër të tjera:

Jeni dakord me ato që tha Dede?
Më vjen mirë që ju si media këmbëngulni për të zbardhur të gjithë detajet dhe dua të falënderoj edhe Nevilin, që tregoi të gjithë të vërtetën në bashkëbisedimin me ju. Madje më vjen mirë që ai e tha qartë, që gjithçka u bë për të mirën e Tiranës dhe ngjyrave bardheblu.

Unë që vitin e kaluar kam thënë se do të vë kusht që të paktën 5 futbollistë të akademisë të luajnë në formacion. Nuk kam qenë i çmendur, por kemi pasur lojtarë cilësorë si Muçi, Çelhaka e Ismailgeci, për të cilët duhet të them se edhe tani kemi një lumë ofertash. Unë jam pro aktivizimit të lojtarëve të akademisë, por duhet të mendojmë edhe për rezultatet, pasi në fund të fundit për ato luajmë.

Unë nuk shqetësohem për asgjë, pasi jam plotësisht i ndershëm në mënyrën e drejtimit të Tiranës, por më vjen keq që disa njerëz flasin sipas qejfit. Hafizi ka punuar te Tirana dhe jo vetëm ka marrë të gjithë lekët që kishte në kontratë, por ka shlyer edhe kredinë që kishte. Edhe më vonë, ne jemi takuar vazhdimisht dhe kemi ruajtur marrëdhëniet shumë të mira me të, e kemi bashkëpunuar edhe te akademia.

Edhe Josën e kam mbajtur deri në fund në pankinë, edhe pse përfunduam një kategori më poshtë. Kam mbështetur edhe Ze Marian më vonë, edhe Ardi Memën, që e mora me shumë qejf, por më ka ardhur keq pasi na munguan rezultatet dhe u detyrova të ndryshoj. Edhe Egbonë e mbështeta, ndonëse nuk e aktivizonte djalin tim asnjëherë.

Më vjen shumë keq që në çdo moment dalin disa njerëz dhe vazhdimisht përgojojnë djalin tim. Çfarë faji ka ai, që është një djaë shembullor dhe pranon çdo vendim të trajnerëve, pa u sjellë asnjëherë si djali i presidentit. Më duket se këta njerëz janë të paguar për të folur keq kundër djalit tim dhe më vjen shumë keq që e përgojojnë kaq shumë. Unë bëj gjithçka për tim biri, si çdo baba për djalin e tij, por në këtë rast nuk kam ndërhyrë asnjëherë që ta favorizoj.

Unë mund ta marr djalin në krahun tim, pasi ai nuk ka nevojë të luajë futboll, por e ka pasion dhe dëshiron të luajë, ndaj nuk dua t’ia heq këtë të drejtë. Nëse e meriton, të luajë, në të kundërt jo, pasi unë prioritet kam rezultatet e skuadrës. Tirana është e kompletuar me elementë shumë cilësorë dhe kemi në grup gati 6-7 lojtarë të ekipit kombëtar, ndërsa në të ardhmen mund të shtohen edhe më shumë fondet. Më vjen keq kur thonë që ka shkatërruar skuadrën, por ne do ecim përpara sepse ka edhe shumë javë dhe besoj se do të kthehemi te rezultatet e duhura.

Kush do të jetë trajneri i ri i Tiranës?
Të jem i sinqertë, nuk e kam vendosur ende dhe po e mendoj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!