Martini: Teuta nuk fshihet, kërkon tri pikë dhe…titullin

Edi Martini largon dyshimet dhe ofron optimizëm te skuadra dhe dashamirësit e futbollit durrsak. Në daljen e zakonshme para mediave në prag të sfides me Tiranën (të dielën 16:45 Niko Dovana), shkodrani tha se Teuta është e destinuar të luajë për fitore ndaj Tiranës dhe se në luftën për titull do të jetë deri ditën e fundit të kampionatit të 82 kombëtar.

Edi Martini:

Qetësi…

 “Normalisht jemi në pikun e kampionatit, ka edhe dy javë që të mbyllet kjo periudhë e garës. Sigurisht këto dy fitore na kanë dhënë qetësi. Edhe në ndeshjet që kemi barazuar kemi bërë paraqitje të mira. Pikët na kanë dhënë qetësinë që na duhet”.

Tirana?

“Tirana është ndeshja e radhës, kampionati është i gjatë. I trajtojmë bardheblutë si të gjithë rivalët e tjerë. Normalisht është një ndeshje radhës, nuk duhet ta cilësojmë si një ndeshje shumë të rëndësishme.

Të gjitha sfidat janë të rëndësishme. Tre pikë merr me Tiranën, tre merr edhe me Apoloninë dhe Skënderbeun.Është një ndeshje në të cilën ne do të futemi në fushë dhe do të kërkojmë fitoren. Me Tiranën të gjitha ndeshjet janë të forta, të bukura, të luftuara dhe kjo na motivon edhe më shumë. Mendoj se e kemi aftësinë, forcën dhe lojtarët e duhur që t’ia dalin me sukses”.

I druheni kundërshtarit?

“Me thënë të drejtën nuk i druhem asgjëje, respektojmë çdo kundërshtar. Që t’i druhem dikujt apo një ekipi nuk është në ADN-në time dhe në të ekipit tonë”.

Barazimet në shtëpi?

“Në kushtet që bëhet kampionati, pa tifozë, nuk më duket se ka rëndësi kush luan. Fati nuk ka qenë me ne, por edhe në disa takime arbitrat na kanë mohuar dy apo tre penallti, me Laçin dhe Skënderbeun. Kjo ka qenë arsye pse në Durrës nuk kemi fituar”.

Gara për titull?

 “Nuk e di kush do jenë rivalët për titull deri në fund, por ne do jemi në lojë deri në ditën e fundit të kampionatit”, mbylli me optimizëm tekniku shkodrani Teutës, Edi Martini.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!