Finale e “Conference League” në Tiranë

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i beson FSHF-së një finale të madhe europiane. “Air Albania Stadium” mirëpret finalen e “Conference League” në vitin 2022.

“UEFA Conference League” është një turne i ri evropian që do të nisë edicionin e ardhshëm, teksa finalja e parë historike e kësaj gare do të zhvillohet në “Air Albania” të kryeqytetit shqiptar.

Njoftimi i FSHF:

“Air Albania Stadium” mirëpret finalen e “Conference League” në vitin 2022!

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s është mbledhur sot përmes video-konferencës dhe mori një vendim historik për Shqipërinë!

Finalja e “UEFA Conference League”, turneut më të ri europian për klube që do të nisë sezonin e ardhshëm, do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Air Albania” në vitin 2022! Kjo është hera e parë në historinë e sportit shqiptar që vendi mirëpret një finale europiane të këtyre përmasave.

Shqipëria ishte një nga kandidatet kryesore për zhvillimin e kësaj finaleje, por arriti të lërë pas Irlandën e Veriut dhe Finlandën. Në këtë mbledhje historike mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, njëherësh edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i cili ka pasur një rol kyç duke lobuar vazhdimisht për këtë vendim.

Gjatë mbledhjes Presidenti Duka falënderoi të gjithë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv për mbështetjen që po i japin Shqipërisë dhe në veçanti futbollit shqiptar.  Një event i këtyre përmasave është një mundësi fantastike promovimi për Shqipërinë, që do të jetë në qendër të vëmendjes për disa ditë me radhë.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s mori edhe disa vendime të tjera në mbledhjen e zhvilluar sot në lidhje me finalet e kompeticioneve të UEFA-s”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!