Zhezus, plane për Benfikën e madhe…

Trajneri 66-vjeçar Horge Zhezus u prezantua në Lisbonë, si një “Mesia” i vërtetë. Pas suksesit me Flamengon në futbollin brazilian në vitin 2019, ku ai pushtoi ligën, fitoi “Copa Libertadores” dhe “Recopa”-n, portugezi Zhezus u kthye në shtëpi, me mision për të shpëtuar ekipin e tij të përjetshëm nga një krizë e thellë. Me të, Benfika kishte jetuar momentet e lavdishme në futbollin portugez, por edhe në Europa League…

“Unë e lashë Flamengon, sepse ishte Benfika që më thirri. Unë nuk kam ardhur të fitoj më shumë para. Kam ardhur sepse presidenti më ka bindur, se projekti që ne kemi mund ta bëjë Benfikën përsëri të shkëlqyeshme dhe se mund të rikuperojë prestigjin ndërkombëtar që kishte ky klub për kaq shumë vite,”- ka deklaruar trajneri Horge Zhezus.

Për këtë, presidenti Luis Felipe Vieira i ka premtuar atij miliona për të investuar te Benfika. Dhe Zhezus tashmë ka identifikuar objektivin e tij të madh: Kavanin.

Sipas shtypit portugez dhe atij uruguajan, Benfika i ka ofruar një kontratë 3-vjeçare dhe tetë million euro për sulmuesin, i cili ka qenë pa ekip, pasi që kontrata e tij kishte përfunduar këtë verë me Paris SG.

Horge Zhezus e dëshiron atë si yllin e madh të projektit të tij të ri, pas të cilit janë lidhur dy brazilianë të rinj. I pari është Pedrinho, një anësor i Korinthians, 22 vjeç, që ka firmosur për 20 milionë euro.

I dyti, është Everton Kebolinha, një 24-vjeçar i “seleçaos”, i cili u zgjodh futbollisti më i mirë në “Copa América”. Bisedimet midis Benfikas dhe Gremios janë drejt fundit dhe shpresohet, se ai mund të vijë në Lisbonë për rreth 25 milionë euro.

Një tjetër objektiv i Horge Zhezusit është të marrë te Benfika, dy prej atyre që ishin yjet e tij të shkëlqyeshëm me Flamengon, playmaker Bruno Henrike dhe mesfushorin Gerson. I pari, 29-vjeçar ish-lojtar i Volfsburgut, u zgjodh lojtari më i mirë i “Brasileirao”-n e vitit 2019 dhe ka një klauzolë prej 35 milionë eurosh.

Tashmë ish-mesfushori i Romës, 23 vjeç, kushton më shumë: 60 milionë euro. Gjithsesi, Flamengo nuk është e gatshme të heqë qoftë edhe një qindarkë të kësaj vlere, sepse trajneri i ri, Domenek Torrent, i sheh këta lojtarë, si pjesë kryesore për projektin e tij.

Forcimi i mbrojtjes është gjithashtu një përparësi për Zhezusin, i cili tashmë ka tre synime: Gilberton e Fluminenses, që mund ta marrë për 6 milionë; Leandro Kabreran nga Espanjol, që duhet të kushtojë 10-15 milionë dhe Robin Kosh nga Freiburg, që mund të arrijë në Lisbonë me shokun e tij të ekipit, sulmuesin Luka Valdshmidt, për 25 milionë euro.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!