Duka në delir: “Mbyllëm një edicion të vështirë”
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një prononcim për mediat sportive sot nga ‘Air Albania Stadium’, tha se u mbyll një edicion i pazakontë sportiv dhe se Tirana e Teuta merituan trofetë.
Nuk nguroi të vendosë në evidencë Kombëtaren kuqezi, duke e quajtur si më kualitativen e të gjithë kohëve…
“Ishte një sezon shumë i vështirë. Ishte një lodhje edhe për futbollistët, pasi e ndaloi atë dhe rrezikoi futbollistët. Mendoj që kemi bërë shumë mirë. Dua t’i falënderoj të gjithë që punuan për ta mbyllur këtë sezon. Tirana e meritoi titullin, por edhe Teuta e meritoi Kupën, më vjen mirë që këto trofe vijnë për 100-vjetoret e klubeve.
Teuta ka ndryshuar shumë dhe më vjen mirë që shikoj emra të rinj, që po shkëlqejnë. Kemi tentuar për të afruar tifozët, duke parë edhe Francën. Shpresoj që gjithçka të rregullohet dhe ne të rikthejmë tifozët.
Jemi munduar të punojmë në kushtet që na ka krijuar pandemia te Kombëtarja. Besoj se kemi ekipin kombëtar më të mirë të të gjitha kohërave. Besoj se jemi pretedentët kryesorë për të dalë të parët në grup”, u shpreh pas trofeut që i dorëzoi durrsakëve, Armand Duka.
