Atletika apel institucioneve, të gjithë heshtin

● Me gjasa Kupa e Shqipërisë dhe kampionatet kombëtare të atletikës për këtë vit mund të mos zhvillohen për shkak të heshtjes dhe indiferencës së institucioneve shtetërore
Federata Shqiptare e Atletikës, edhe pse në kushtet e vështira të krijuara nga pandemia globale e Covid-19, duke u mbështetur edhe në veprimtaritë e federatave homologe të atletikës, ka vendosur të zhvillojë fillimisht garat për Kupën e Shqipërisë, dhe pas këtij aktiviteti, edhe kampionatit kombëtar për të rritur e të rinj.
Mirëpo, kërkesat e Federatës Shqiptare të Atletikës (FSHA) deri tani mesa duket kanë rënë në vesh të shurdhër. Ndonëse ato janë konform kërkesave institucionale, për organizimin e këtyre eventeve kombëtare të rëndësishme sportive, askush nuk merr mundimin të të kthejë përgjigje.
“Sekretariati i FSHA-së ka dërguar letër drejt Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, për lejimin e organizimit të këtyre aktiviteteve pasi sporti i atletikës është individual dhe ruhet distanca fizike në të gjitha disiplinat (vrapime, hedhje, kërcime).
Gjithashtu i kemi dërguar dhe një letër Federatës Shqiptare të Futbollit ku i kërkojmë që këto aktivitete shumë të rëndësishme të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena”, pasi është i vetmi stadium i licensuar nga Federata Botërore e Atletikës në Republikën e Shqipërisë.
Deri më sot nuk kemi marrë asnjë njoftim nga këto tre institucione,” shkruhet në një njoftim që Federata Shqiptare e Atletikës u ka drejtuar sot të gjithë anëtarëve dhe klubeve sportive në gjithë Shqipërinë.
