Covid-19 nuk fal, humb jetën Shobushi…
Koronavirusi shënoi viktimën e parë edhe në mesin e mundësve sumo, në Japoni. 28-vjeçari Kiyotaka Suetake, i njohur ndryshe si Shobushi, vdiq nga dëmtimi i shumë organeve nga Covid-19. Ai bëhet edhe personi i parë në Japoni nën moshën 30 vjeç, që humbi jetën nga pandemia.
Lajmi për vdekjen është raportua nga Shoqata Sumo e Japonisë (JSA), duke sqaruar se Shobushi, i cili vuante nga diabeti, pas një beteje të vështirë për gati një muaj në një klinikë në Tokio, nuk ia doli.
Profesionist që nga viti 2007, luftëtari fatkeq kishte arritur pozicionin e njëmbëdhjetë në renditjen e divizionit “sandanme”, kategoria e katërt e sumos.
Në fillim të këtij muaji, Turneu i Madh i Verës Sumo (ngjarja më e madhe e lidhur me këtë sport), që ishte planifikuar nga 24 maj deri më 7 qershor, u anulua për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit.