Stadiumi në ‘demolim’, Sindikata ngre zërin…
Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë, me të mësuar faktin se stadiumi ‘Fuat Toptani’ në Kamzë është në plan për tu ‘demoluar’, ka reagur ashpër.
Përmes një reagimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Sindikata thotë se veprime të tilla të papërgjegjshme e shtojnë indinjtaën te komuniteti sportiv i vendit e kryesisht te ata sportdashës të një qyteti pranë kryeqytetit.
Reagimi i Sindikatës:
Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë po ndjek me shqetësim lajmin e percjellë nga mediat sportive për prishjen e stadiumit të Kamzës. Në këto momente Sindikata është në krahun e opinionit sportiv dhe atij futbollistik të Kamzës të cilët janë shprehur kundër prishjes së stadiumit, shtëpisë së futbollit në Kamëz. Sot i kërkojmë FSHF që të jetë në krahun e futbollistëve dhe të bëjë të gjithë përpjekjet që qeveria ose bashkia Kamëz të anullojë këtë projekt tejet të dyshimtë.
Sot i kërkojmë shumë miqësisht z.Brace futbolldashës, që në cilësinë e zv.kryeministrit të vërë në punë të gjithë mekanizmat ligjit për të ndalur prishjen e stadiumit të Kamzës. I nderuar z. Brace, ndaloni anëtarët e familjes tuaj politike që kërkojnë të prishin stadiumin e Kamzës. Këto persona po veprojnë kundër programit politik të partisë tuaj që promovon sportin duke shtuar orët mësimore në shkolla.
Këto persona po veprojnë në menyrë të kundërt me mënyrën si vepron qeveria juaj , e cila siç keni thënë edhe ju, ndërton stadiume dhe nuk i prish ato. Të nderuar zotërinj të Bashkisë së Kamzës, stadiumi i Kamzës është shtëpia e futbollit të Kamzës në të cilën janë rritur me dhjetra breza futbollistësh. Kjo shtëpi futbolli është shumë më e vjetër se shtëpitë e atyre që kanë marrë vendimin për prishjen e saj. Duke prishur stadiumin ju keni dënuar me “vdekje” futbollin e një komuniteti prej rreth 130 000 banorësh në Kamëz.
Futbolli në Shqiperi po kalon një moment shumë të veshtirë, ku “zotat” e futbollit duhet të bëjnë më të mirën për futbollin që kjo situatë të kujtohet nga komuniteti i futbollit si futbolli në periudhën e pandemisë dhe jo si futbolli në periudhën e poshtërsisë. Besojmë se personat përgjegjës do ti kthehen arsyes duke anuluar vendimin për prishjen e stadiumit të Kamzës.
Në përfundim duam të shprehim edhe një falenderim për mediat sportive të cilat bënë publike këtë rast duke qenë në këtë mënyrë rojtare të së mirës publike.

