Tiranë e madhe, përmbys Kukësin në fund…

Kategoria Superiore, java e 23-të: Kukësi- Tirana 1-2 (Vangjeli aut 52’/ Batha 85′, Torasa 88′)
Tiranë me 7 ‘shpirtëra’. Kështu mund të përkufizohet përbysja e bardhebluve në takimin e sotëm në ‘Air Albania Stadium’ ndaj Kukësit.
Në një mejdis elektrizues, teksa në shkallë pati afro 8 mijë mbështetës, Kukësi- Tirana ofroi spektakël, emocione e gola.
E nis më mirë Tirana e Egbosë ndërs duket se ka inisiativën duke demostruar prepotencë në mesfushë e krijuar raste. Muçi, Kobina, Torasa janë lojtarët kryeqytetas që kanë shanse për të shënuar gjatë 15 minutave të para.
Dalja e parë e Kukësit përkon me minutën e 16-të ndërsa Rroca del mirë nga e majta por topi i tij në qëndër nuk gjen askënd.
Por ky ishte vetëm sinjali i parë i verilindorëve pasi me kalimin e minutave, skuadra vendase (Kukësi) nis të marrë frenat e lojës në dorë dhe me Abazajin nga e majta e Mustën në anën tjetër, të inspiruar nga Musolli limaj e Rroca, krijojnë disa herë panik te porta e Likës. Aty ku Shkurtaj tenton të finalizojë.
Megjithatë rastin ideal në të 45-tën e ka Rroca i cili kordinohet mirë në zonë me topin që kalon shumë pranë kuadratit.
Në të dytën, pas disa orvajtjeve të Tiranës, Kukësi arrin të shënojë golin e avantazhit. Është Emiljano Musta ai që bën gjithçka mirë nga e majta, pason në shtyllën e parë aty ku Vangjeli përpara Shkurtajt, devijon në portën e tij. E 52-ta dhe 1-0.
Egbo operon me shpejtësi duke hedhur në fushë Ngo. Anglezi i jep gjallëri lojës përpara teksa Batha dhe Celhaka janë në ballë të aksionëve të shumta të formacionit ‘mik’.
Në anën tjetër Abazaj gjithnjë i frikshëm me daljet dhe depertimet nga e djathta. Për të ardhur në të 84-tën teksa Teqja shkakton faul e del nga loja pas dy të verdhave.
Goditja e dënimit nga pranë-zona, i besohet Bathës i cili me një goditje të kalibruar, e dërgon topin në këndin e djathtë të Xhikës.
Tirana beson se mund të marrë më shumë nga kjo përballje ‘titanësh’. Në fakt, ka të drejtë pasi në minutën e 88-të shënon golin e dytë me Torasën që ndjek një aksion nga e djathta e sulmit bardheblu.
Ka 7 minuta shtesë por asgjë nuk lëviz nga ‘froni’. Tirana fiton një takim të pabesueshëm dhe i merr kreun pikërisht Kuksit.