Marku: ‘Ndaj Laçit, luajmë për fitore’

Edicionin e kaluar spikati te Kastrioti. Herald Marku, gjatë verës iu bashkua Vllaznisë, ndërsa në takimet e luajtuar me kuqeblutë, ka lënë shënjë…

Mbrojtësi u shfaq sot në konferencën për shtyp të Vllaznisë, në prag të takimit me Laçin, që do të nisë në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi”.

Herald, do të vijojë seria e fitoreve me një tjetër nesër ndaj Laçit?
Është një takim jo i lehtë për ekipin tonë pasi Laçi është një skuadër e mirë dhe ka një ngritje në lojën e saj. Por të mos harrojmë që ne jemi Vllaznia dhe do të kërkojmë si në çdo takim edhe në këtë ndaj Laçit vetëm fitore.

Jeni duke sakrifikuar ndoshta duke luajtur si mbrojtës i majtë. E vështirë për ju?
Përsonalisht ndihem mjaft mirë në pozicionin ku më ka kërkuar tekniku që të jem, sepse kam luajtur edhe më përpara në mbrojtje. Besoj se po jap më të mirën dhe kjo më bën që të ndihem mjaft mirë.

-Si shkodran që jeni, si po ju duket kjo eksperiencë e parë me Vllazninë?
Vërtetë është hera e parë që luaj me të, por të them të drejtën tek Vllaznia ndihem si në shtëpinë time. Jam I kënaqur nga të gjithë dhe nga mbështetja që po më japin që të gjithë, si sfafi, drejtuesit e po ashtu edhe tifozëria.

Meqë përmendët tifozët, keni ndonjë thirrje për ta që të jenë nesër sërish në mbështetjen e skuadrës?
Për tifozët do të doja të thoja se kemi dëshirë të na mbështesin fort. Ne nuk do t’i zhgënjejmë. Ato janë gjithmonë një nxitje për ne.

Fakti që në pankinën kundërshtare do të keni nesër një trajner si Cungu që e njeh mirë skuadrën tuaj, është një minus për Vllazninë?
Normalisht që dihet se Cungu e njeh mirë Vllazninë ngaqë edhe e ka drejtuar atë, por ne tani me në krye teknikun Jonuz kemi një lloj tjetër loje.

Ai ka ndryshuar diçka në lojën dhe në strategjinë tonë. Mendoj se njohja e Cungut ndaj Vllaznisë nuk do të na prishë shumë punë.

Si duket skuadra me afrimet e fundit që janë bërë nga merkatoja?
Mendoj se janë lojtarë me vlera. Shumë shpejt pritet që të jenë lojtarët që i duhen kësaj skuadre. Ingranimi I tyre me ekipin pritet që të jetë i shpejtë dhe të japin vlerat e tyre në dobi të skuadrës

Flitet si objekt i Vllaznisë herë Kupat e Europës dhe herë mbijetesa. Realisht cili është objektivi i saj?

Objektivi ynë është që t’i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Por kam mendimin se ne po bëjmë gjithçka mirë dhe do të jemi më mirë sesa ku jemi momentalisht”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!