FSHF ndjek ‘linjën’, ndihma për fëmijët…në Pezë

Pas festës me fëmijët në Kavajë, Federata e Futbollit ka organizuar pranë kampit të Pezës festën e dytë me fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti.

Mbi 50 fëmijë janë mbledhur në një atmosferë festive në shoqërinë e animatorëve, muzikës e Babagjyshit për të përjetuar momente të bukura argëtuese me rastin e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Drejtues dhe punonjës të Federatës së Futbollit, u takuan dhe biseduan me vogëlushët si dhe luajtën futboll me ta.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF Ilir Shulku, tha se Federata e Futbollit e sheh si detyrë të sajën qëndrimin pranë fëmijëve dhe familjeve të tyre në këto momente të vështira. “Në këtë fatkeqësi të madhe natyrore, Federata e Futbollit e pa si detyrë parësore të qëndrojë pranë familjeve të prekura nga tërmeti e në veçanti pranë vogëlushëve.

Që nga dita e parë ne si institucion, si staf punonjësish dhe futbollistë të kombëtares, u munduam t’i lehtësojmë sadopak këto familje. Fokusi ynë kanë qenë dhe mbeten fëmijët pasi mendojmë se futbolli është një ndër “ilaçet” nëse mund ta quaj kështu, që ata t’i kthehen normalitetit. Festat dhe kontributet tona do vijojnë në ditët e ardhshme në institucione të tjera” tha Shulku.

Ai i ka dhuruar edhe një top nxënëses së klasës së dytë Fatime Duraku e cila e ka pasion futbollin dhe luan me ekipin e futbollit të shkollës “16 Shtatori” në Pezë, duke e përgëzuar dhe uruar që të vazhdojë me dashurinë për futbollin.

Ndër më aktivët në takimin me fëmijët ishte ish-futbollisti legjendar i kombëtares sonë Sulejman Demollari i cili u mësoi fëmijëve edhe disa teknika të futbollit.

Kjo seri festash organizuar nga FSHF, vjen pas anullimit që Federata u ka bërë të gjitha festimeve institucionale të stafit të saj dhe solidarizimit të plotë me familjet e prekura nga tërmeti në vendin tonë.

FSHF ka planifikuar të ndërtojë të paktën 3 shtëpi dhe më shumë në varësi të fondeve të grumbulluara. Federata e Futbollit gjithashtu ka nisur një fushatë ndërkombëtare për të siguruar ndihma për zonat e prekura. Ne jemi një skuadër! Festojmë e rindërtojmë së bashku!”-shkruhet në postimin zyrtar të FSHF-së sot.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!