Java që trazoi …klubet

Java e 15-të e kampionatit të 81-të Kombëtar, do të mbahet mend gjatë për ngjarjet që na serviri. Të premten, impianti i ri modern “Air Albania Stadium” hapi dyert për futbollin kombëtar.U luajt derbi i kryeqytetit, i cili na ofroi një shfaqje të pëlqyeshme.

Pas 5 vitesh dhe 18 ndeshjesh, fitoi 2-1 Tirana, e cila e kërkoi më shumë suksesin. Mesfushori i bardhebluve, Idriz Batha, do të mbahet mend si lojtari që shënoi edhe golin e pare në stadiumin e ri “Air Albania” të kryeqytetit.

Partizani, pas 6 javësh, e humbi kryesimin e renditjes. Kukësi shpartalloi 4-0 në Elbasan skuadrën durrsake të Teutës, dhe tani kryeson kampionatin me 27 pikë.

Shijen e kryesimit për pak me tepër se 2 orë e provuan edhe kurbinasit e Laçit, që nuk paten mëshirë për gjirokastritët e Luftëtarit, teksa edhe ata fituan 4-0. Sulmuesit Naubueze, Xhixha dhe Teko (2), sërish ishin autorë golash.

Ballshiotët e Bylisit, ndonëse me 5 mungesa në formacion, gabuan në Vlorë ndaj Flamurtarit, duke fiksuar shifrat 2-2, që tani i rendisin në vendin e 4-t.
Vllaznia diktat në transferta… Shtubina, me një supergol të realizuar dhe me vlerë 3-pikësh, e nxjerr Vllazninë fituese ndaj Skënderbeut në Korçë.

Por java e 15-të do të kujtohet edhe për një dukuri tjetër. Tre trajnerë, për shkak të rezultateve të dobëta, do të shkarkohen nga detyrat e tyre.
Pas humbjes së derbit, klubi i Partizanit do të shkarkojë trajnerin italian Franko Lerda.

Po kështu, pas humbjes 4-0 ndaj Kukësit, edhe klubi durrsak i Teutës, pas afro një sezoni e gjysmë, do të largojë trajnerin e saj, korçarin Blendi Shkëmbi.
Trisin e shkarkimeve të ditës së trajnerëve, pas humbjes 4-0 në Laç, do ta plotësojë tekniku grek Jorgos Marantas i Luftëtarit të Gjirokastës.

Pas këtyre, numri i shkarkimeve të trajnerëve në këto 15 javë të kampionatit, shkon në 7, dukuri kjo, që duke iu referuar të së shkuarës, nuk ka për të mbetur me kaq. Radha nuk dihet…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!