Nuabueze dërgon në ‘ferr’ Skënderbeun…

Kategoria Superiore, java e 11-të: Skënderbeu – Laçi 1-4 ( Gripshi 6’/Lushkja 24′, Nuabueze 48′, 84′, Xhixha 64′)

Ku ishe Cungu”?  Kjo mund të jetë deviza pyetëse në abstarkte absolute për këtë shndërrim të Laçit në pak javë.

Trajneri u ftua në kauzë nga Pashk Laska pas barazimit në shtëpi Laçi- Bylis (0-0) me Starovën që u largua dhe pas debutimit me atë humbje me Tiranën në kryeqytet, vijnë tri fitore ‘bombastike’ të bardhezinjëve.

Modul i ndryshuar, skuadër në gjithë gjeografinë e fushës dhe Nuabueze goelador i Superiores me 11 gola. Për statistikë, 7 në ‘erën’ Cungu…

Kthyer te sfida e Korçës, teksa Skëndërbeu-Laçi u përballën sot për javën e 11-të, ajo ishte e gjitha me ritëm të lartë, gola spektakolarë dhe në fund tri pikë për miqtë.

Korçarët kishin deklaruar përpara takimit se Laçi, nuk ka shanse të marrë pikë në Korçë dhe kjo frazë e Pollozhanit, u duk se po mishërohej ndërsa Nazmi Gripishi në të 6-tën realizoi një supergol nga jashtë zone.

Në fakt Laçi e nisi totalisht i trembur takimin dhe kur shifrat shkuan në favor të bardhekuqëve, dukej e vështirë që formacioni i Cungut, do arrinte të përmbysë.

Impresion i gabuar sepse kurbinasit, nisin të shtojnë forcat përpara dhe të vëndosin në shenjestër portën e Koliqit. Kapiteni Lushjka në të 24-tën nxjerr nga repertori një goditje vrastare duke e dërguar topin në të majtë të Koliqit.

Më pas, ka ‘paqe provizore’ deri në pushimin mes pjesëve pasi në start të së dytës, është ai, golashënuesi nigeriano- amerikan Kirian Nuabueze që pas një aksioni të gjatë nga e djathta, në të  48-tën, shënon golin e avantazhit për kurbinasit.

Cungu orienton të luhet përpara dhe skuadra bindet në fushë. Pas dy rasteve të tjera, Laçi shënon edhe golin e tretë. Këtë radhë është Redon Xhixha teksa pas një topi të marrë në zonë, godet në kuadrat për 1-3.

Me Skënderbeun që nuk ia del të rihapë takimin, është sërish Nuabueze që shënon të dytin personal dhe të katërtin për bardhezinjtë. Një top i nisur nga Stazhilla, gjen duelin Pollozhani- Nuabueze në ‘pistë” vrapimi.

Fiton fiziku i 26 vjeçarit kurbinas që me një goditje prej një sulmuesi race, shënon për herë të 4-ët.

Skënderbeu në krizë dhe Laçi që parakalon duke shkuar në kuotën e 16-të pikëve. Ku ishe Cungu?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!