Prag-java, Kukësi-Tirana, sfida për kreun…

Nga: Shpëtim Gjoshi

Kukësi- Tirana konsiderohet si takimi më i rëndësishëm i momentit në Kategorinë Superiore. Kukësiant pritës në ‘Elbasan Arena’, kanë detyrën e rëndësishme të fitojnë ndaj Tiranës kryesusese ose së paku të mos humbin.

Në Ballsh, verilindorët e nisën me një gol të Limajt por më pas, skuadra e Duros, jo vetëm u barazua por në fund pësoi edhe golin e dytë duke e humbur ndeshjën. Nesër, verilindorët, duhet të bëjnë pa sherbimet e Mustës dhe Et’hemit.

Tirana duket se e ka provë të vërtetë këtë transfertë. Mema më të tijtë, udhëheqin garën me 10 pikë, ndërsa në mesjavë për Kupë, aktivizuan lojtarët e stolit duke ruajtur energjitë pikërisht për duelin me Kukësin. Kthehet Ilion Lika. Tirana kërkon vazhdimësine dhe ajo realizohet vetëm nëse merr rezultat pozitiv nesër.

 Partizani, kurrësesi nuk pritet ta ketë të lehtë me Bylis në “Selman Stërmasi”. Aq më tepër që skuadrat vijnë me morale të ndryshme. Partizani pas humbjes në Laç, teksa formacioni i Bylis pas atij triumfi ndaj Kukësit pretendent.

Lerda është vënë në siklet. Jo vetëm rezultatet 2 fitore e 2 humbje por dhe 2 golat e vetëm në 4 takime, mbetën tregus të dobët për një skuadër që kërkon të mbrojë titullin.

Edhe takimi Skënderbeu- Teuta në program nesër, merr vemendje maksimale. Vendasit nga Korça, po shfaqen me luhatje të mëdha pasi në dy javët e fundit, janë mundur nga Bylis në shtëpi dhe Tirana në transfertë.

Ndaj Teutes, hapat e gabuar janë të ndaluar. Daja e di mirë se çfarë duhet t’ju kërkojë të tijve. Në kahun tjetër, djemtë e detit me 8 pikë në 4 takime, pozicionohen në vend të dytë, por kjo dalje e tyre, do të tregojë realisht forcën e Teutes. Rikthimi Kallakut në sherbim të skuadrës, bonus i madh i formacionit të Shkëmbit.

Ndërkohë të dielën Flamurtari pret Laçin. Vonjatët në edicionin më të vështirë prej dekadash. Asnjë pikë dhe përballë një skuadër të fortë. Jetike kthesa e Flamurtarit. Për kurbinasit , nuk lejohën gabimet.

Edhe dueli Vllaznia- Luftetari, merr permasat i një sfide të rëndësisë së veçantë. Shkodranët pas barazimit me Teutën shihen favoritë, por kujdes. Gjirokastritët me Filin në ‘bord’ sapo dhanë shenja progresi. Fitorja ndaj Flamurtarit javën e shkuar, ka rritur besimin. Javë intensive…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!