Elvis Plori: ‘Besëlidhja për të ruajtur kreun…’

Java e dytë e Kategorisë së Parë, ofron për shikuesit, një ndër çiftet më interesante të Grupit A. Kastrioti- Besëlidhja në “Redi Maloku”, pritet të dhurojë emocione e spektakël dhe në fund të plotësojë ndjeshëm edhe fizionominë e dy pretendetëve të grupit.

Krutanët e drejtuar nga Ndreu, fituan me vështirësi në prologun e garës javën e kaluar ndaj Egnatias në shtëpi 3-2, ndërsa të besuarit e shkodranit Plori, shkatërruan tërësisht Korabin në Lezhë 3-0.

Në mesjavë si Kastrioti ashtu dhe Besëlidhja, luajtën për turin e parë të Kupës së Shqipërisë, teksa në të vajtjes, u mundën me të njëjtin rezultat 2-1 respektivisht nga Iliria dhe Korabi.

Gjithsesi, te të dy kampet, u panë shumë futbollistë të rinj. Me mendjen te dueli i nesërm, trajneri i Besëlidhjes Elvis Plori, shpjegon për Sporti im.al se skuadra e tij, i ka të gjitha mundësitë për të bërë mirë.

Sipas 41 vjeçarit, Besëlidhja ka gati kontigjentin për të synuar fort elitën dhe se ndaj Kastriotit, pret angazhimin total të skuadrës. Nuk harron të vlerësojë kundershtarin që e ka drejtuar në dy raste.

Besëlidhja do kërkojë të jetë protagoniste e Grupit A. Kemi  grupin e duhur dhe përgatitjet kanë evuluar për mirë. Takimin e parë e fituam duke dominuar dhe ky është sinjal se Besëlidhja, do jetë kërkuese edhe në transfertë.

Me Kastriotin, duhet të impenjohemi në maksimum. E njoh mirë atë skuadër pasi e kam drejtuar gjatë. Natyrisht që kam emocione, ndër më të veçantat,sepse kam kaluar mirë atje, por nesër, si profesionist që jam, duhet të përballëm me seriozitet.

Jemi dy skuadra që pretendojmë këtë edicion. Mendoj se do jetë një sfidë e luftuar sportivisht. Në fushë, kam bindjen se cila skuadër do jetë më mirë e vendosur taktikisht, do fitojë.

Gjithsesi, është vetëm java e dytë, teksa Beslëlidhja, kërkon të ruajë vazhdimësinë”– tha  Elvis Plori, njëri nga teknikët më ekspertë të Kategorisë së Parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!