Lerda: “Do të luajmë shanset tona”…
Trajneri i Partizanit, italiani Franko Lerda, në konferencën tradicionale për shtyp, në prag të takimit të sotëm ndaj moldavëve të Sherif Tiraspolit, ka folur për ndeshjen e kthimit te turit te dyte te Europa League.
“Mendoj se rezultati i arritur në takimin e parë na penalizon disi dhe nuk e prisnim, gjithsesi ne do të luajmë dhe shfrytëzojmë në maksimum shanset tona deri në minutën e fundit të takimit. Sherifi është një skuadër me kualitete ka lojtarë mjaft cilësor në sulm, fakt për të cilin jemi të vetëdijshëm, pasi i kemi studiuar edhe përpara se të përballëshim në sfidën në Tiranë, kemi ndjekur disa takime të Sherifit.
Gjithsesi, nëse duam të luajmë shanset tona për kualifikim, duhet të mendojmë vetëm për veten tonë. Jemi një grup mjaft i mirë me mjaft lojtarë të rinj të talentuar, të cilët kanë dëshirë të rriten, të përmirësohen dhe të bëjnë mirë. Në skuadër ka mjaft optimizëm pasi në futboll gjithçka është e mundur”, ka deklaruar Lerda.
Në këtë konferencë për shtyp, për shkak të gjuhës, i pranishëm dhe mbrojtësi rumun Dejan Boldor, një nga afrimet e Partizanit këtë verë. “Kemi ardhur për të luajtur shanset tona, pavarësisht rezultatit të takimit të parë. Jemi mjaft optimistë, pasi janë edhe 90 minuta të tjera për t’u luajtur dhe do të japim maksimumin për të synuar kualifikimin”, u shpreh mbrojtësi rumun, i cili me shumë gjasa mund edhe të debutojë sot me fanelën e të kuqve të Partizanit.