“Sherifi” nuk është në kahun e Lerdës…


Europa League, turi i dytë eliminator: Partizani-Sherif Tiraspol 0-1 (Tambe 23′)

Partizani bëri një paraqitje të dobët në Europa League me Sherif Tiraspol të Moldavisë. Takimi i vajtjes në turin e dytë kualifikues, luajtur sot pasdite në “Selman Stërmasi”, nisi dhe përfundoi pa grinten e zakonshme, befasinë, rastet dhe ndonjë gol eventual të të kuqve.

Lerda ndryshe sa pritej, hodhi në fushë një formacion që dukej i arnuar. Futbollistë si Asani, ndër protagonistët e edicionit të shkuar, u la në stol. Ashtu sikurse Trashi. Ndërkaq, loja pa ide e minutave të para, është kuptuar menjëherë nga futbollistët e Sherifit, që në 23-tën kalojnë përpara me Tambe.

Ishte një aksion i thyer i të kuqve dhe Kendysh kapiteni “sherif”, galopon për shumë metra, duke depërtuar deri në hyrje të zonës, aty ku vendos të godasë drejt portierit Hoxha.

Kapiteni i përgjigjet kapitenit me topin e pritur, por sfera i ikën nga duart dhe sulmuesi me numër 29 Tambe, e ka lojë fëmijësh për ta depozituar në rrjetë.

Reagimi i skuadrës së Lerdës vjen me hope. Herë-herë, Telushi vertikalizon në krahë dhe thellësi, por Solomon dhe Çinari, pse jo dhe Mala, janë larg formës së tyre më të mirë.

Në fakt, Kordiero, ndryshe nga pjesa tjetër e grupit, bëhet disa herë kercënues, por si ai, ashtu dhe Broja, që e tepron pambarimisht me mbajtjen e topit, nuk janë efikasë.

Në startin e së dytës, Çinari gjendet i lirë në zonën e vogël, por dilema e goditjes me kokë, apo asistimi për lojtarët ofensivë, zgjidhet nga finalizimi i dobët i shkodranit, që më vonë zevëndësohet me Ekuban.

Në kahun tjetër, Sherifi përpiqet të kontrollojë avantazhin, ndërsa në fund, krijon disa mundësi të tjera për të dyfishuar.

Fundi prej 6 minutave shtesë, vjen shpejt dhe Partizani detyrohet të pranojë humbjen e të gjejë pak ngushëllim te tifozet e tij, të cilët edhe pse të zhgënjyer, i duartrokitën. E kthimit pas një jave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!