Laçi pranë surprizës, Ber Sheva barazon në fund…

Turi i parë eliminator në Europa League: Bardhezinjtë shënojnë në start, më pas Ber Sheva dikton. Një perlë e Xhixhës ndalet nga shtylla, Selmani mban për shumë minuta në lojë të tijtë…

Laçi-Hapoel Ber Sheva 1-1 (Nuabueze 3’/ Levi 78′)

Isuf Myrtaj

Laçi i Kurbinit ishte shumë pranë fitores në takimin e vajtjes të turit të parë eliminator në Europa League, ndërsa në shtëpi priti sot Hapoel Ber Sheva. Start magjepsës për bardhezinjtë, që në të 3-tën, kalojnë përpara me një gol të shënuar nga Kirian Nuabueze me kokë i shërbyer nga Fangaj.

Më pas formacioni i Starovës, u fut para kohe në panik e ruajtje të rezultatit, duke e pritur kundërshtarin e kundërpërgjigjur sporadikisht me autorin e golit Nuabueze e Xhixha.

Ber Sheva qarkullon dhe krijon epërsi territoriale, por rreziku i parë i vërtetë te Laçi, erdhi në të 25′, teksa një goditje e rrezikshme pritet nga Selmani.

Për të mbërritur te minuta e 31-të, ndërsa Redon Xhixha, pas një sulmi të thyer të miqëve, vihet në zotërim të topit dhe i vetëm futet në gjysmëfushën izrealite.

Sulmuesi laçian i shtang të gjithë, teksa vendos të godasë nga rreth 60 m. Befasi, forcë, saktësi, klas. Portieri mik Setkus, disi i dalë nga porta, zgjatet në çastin e fundit, duke e devijuar topin që më pas prek dhe shtyllën. Duket që ky rast i ka shkundur Ber Sheva-sit, pasi nga ky moment, bëhen zotër të fushës e rrezikuar disa herë.

Në pjesën e dytë, teksa pritej që Starova të ndryshonte diçka në strategji apo taktikë, vendos të luajë për shumë minuta në prapavijë dhe pa asnjë ndryshim në kualitete. Janë miqtë që shtojnë presionin dhe shumë fanela të kuqe i afrohen disa herë golit. Haselbaink, Marin Vilshez dhe Sabag janë gjithnjë aty.

Selmani i destinuar t’i përvishet një punë të vështirë. E shpëton skuadrën disa herë, ndërkohë që të njëjtën gjë bën dhe Xhixha në rolin e një mbrojtësi që eviton një kërcënim serioz te zona e vogël.

E nëse Starova i qëndron besnik ideve strikte por dhe formacionit fillestar, është homologu i tij Bakar, që operon me shpejtësi. Dy futbollistë të freskët dhe mënjeherë goli, një inkursion nga e majta me Goldberg, pasimi për Gal Levi dhe ky i fundit me një gjuajtje të shpejtë, e dërgon topin në pjesën e brendshme të traut të Selmanit, për një 1-1 të hidhur.

Pas barazimit, ka një zgjim të Laçit, por është tepër vonë. Ber Sheva arrin të barazojë një takim që më pak kujdes të kurbinasve, fare mirë mund ta kishte humbur. Laçi pas një jave do të udhëtojë në Izrael për të kthimit.(video)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!