Gjyqtarët, nga Islanda deri në Kazakistan…

Tashmë UEFA i ka zyrtarizuar gjyqtarët që do të drejtojnë ndeshjet e turit të parë eliminator, si në Champions League, ashtu edhe në Europa League. Nuk përjashtohen edhe xhaketat e zeza që do të drejtojnë skuadrat shqiptare. Natyrisht ata janë të rinj, në moshë, por edhe në përvojë. Që nga Islanda e deri te Kazakistani i largët…

Champion League: PARTIZANI-KARABAK

Ndeshjen Partizani-Karabak, që do të zhvillohet të mërkurën e 10 korrikut, në orën 17:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”, UEFA ka menduar ta drejtojë gjyqtari islandez Thorvaldur Arnason. Ndihmësa të tij do të jenë Johan Gunar Gudmundson dhe Andri Vigfuson, ndërkohë që gjyqtar i katërt do të jetë Petur Gudmundson.

Europa League: VENTSPILS-TEUTA

Teuta do të jetë skuadra e parë shqiptare që do të zbresë në fushë, të enjten e 11 korrikut për Europa League. Në orën 16:45 (me orën lokale) “djemtë e detit” do të përballen me letonezët e Ventspilsit. Takimin do ta drejtojë Daniar Sakhi, një gjyqtar kazakistanas 28-vjeçar, i cili e ka marrë stemën e FIFA-s para dy vitesh. Asistentë të tij janë Sergei Kalaçev dhe Juri Tikhoniuk, ndërsa gjyqtar i katër Bulat Sarijev, gjithashtu nga Kazakistani.

Europa League: LAÇI-HAPOEL Ber Sheva

Pak më vonë, në orën 17:30, në stadiumin e Laçit, skuadra bardhezi kurbinase do të ndeshet me izraelitët e Hapoelit të Ber Shevës. UEFA ka vendosur që këtë takim t’ia besojë për ta drejtuar gjyqtari 37-vjeçar qipriot Loukas Soutirou, pa përvojë në arenën ndërkombëtare. Ndihmësa të tij do të jenë Harálampos Georgiu dhe Haralampos Haralampos, ndërsa gjyqtar i katërt është ish-ndërkombëtari Leontios Tratu.

Europa League: DEBRECEN-KUKËSI

Në orën 19:00, po të së enjtes, në stadiumin e Debrecenit, nënkampionët tanë të Kukësit do të përballen me skuadrën hungareze të këtij qyteti, Debrecen. Ky takim do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh austriakë. 30-vjeçari Sebastian Gishaimer, ndërkombëtar vetëm që nga fillimi i këtij viti, do të ndihmohet nga Roland Ridel dhe Jasmin Shabanoviç, ndërsa gjyqtari i katërt do të jetë Valter Altman.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!