SOS! 4 skuadra, gati të përjashtohen…
● Komiteti Ekzekutiv shtyn afatet e liçensimit, për t’u dhënë një shans të dytë skuadrave të Superiores për të plotësuar kërkesat. Ndërkohë, lajmërohen skuadra të së Parës për të qenë të gatshme për të plotësuar ndonjë vend vakant
Sinjali SOS është lëshuar! Flamurtari, Luftëtari, Tirana dhe Vllaznia, janë katër skuadrat që rrezikojnë të mos përfitojnë liçensën për të marrë pjesë në sezonin e ri të Superiores. Aktualisht ato nuk i plotësojnë kushtet, por janë me karton të verdhë!
Për këtë arsye Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, në mbledhjen e tij të sotme, e ka shtyrë afatin e liçensimit të Superiores. Kjo për t’u dhënë edhe një shans të dytë skuadrave që të plotësojnë kriteret, ku aspekti financiar, pra larja e borxheve, është kusht i panegociueshëm për të fituar të drejtën për të konkurruar në kampionatin e Superiores.
Burime të sigurta të “SportiiM.al” shkojnë edhe më tej. “Parlamentarët” e futbollit shqiptar, u kanë lënë porosi punonjësve të FSHF-së, që t’i paralajmërojnë klubet e Flamurtarit, Luftëtarit, Tiranës dhe Vllaznisë, për të plotësuar dokumentacionin, pasi aktualisht ato nuk kanë një bilanc financiar “fair”, çka mund t’i penalizojë ato në marrjen e liçensës për në kampionatin e Superiores.
Afati i fundit për to do të jetë 31 korriku, kohë kur Komisioni i Liçensimeve në FSHF do të mblidhet për të shqyrtuar dokumentacionin e të gjitha klubeve.
Përpos kësaj, për të mos u gjetur e papërgatitur, FSHF do të lajmërojë që nesër skuadra të Kategorisë së Parë, si Kastrioti, Dinamo, Besa, Apolonia, natyrisht edhe ndonjë tjetër që plotëson kushtet, që të jenë të gatshme për të plotësuar vendet që mund të mbesin vakant në kampionatin e Superiores. FSHF kësaj here e ka seriozisht!