Brazili në 1/2 finale, kualifikimi 11 metra larg!

Copa America, çerekfinalet: Brazil-Paraguaji 0-0 (4-3 me penallti)

Brazili është gjysmëfinalisti i parë i Copa America. “Zotërit e shtëpisë” u kualifikuan në sajë të një fitoreje 4-3 me penallti, kundër një Paraguaji, që për 30 minuta luajti me 10 futbollistë në stadiumin e Porto Alegres.

Fraksioni i pare i lojës shkoi tamam si pritej: Brazili që diktonte, por që duhej të ishte i durueshëm përballë një skuadre si Paraguaji, që kishte parkuar “autobusin” me tetë lojtarë pranë portës së tij. Vetëm Almiro me Gonzalez ishin përpara, që u përpoqën të krijonin probleme për “seleçaon”. Planet e tyre funksionuan mirë. Brazili krijoi disa raste, por gjuajtja e Kutinjos u prit nga portieri Fernandez.

Në fraksionin e dytë Brazili e shtoi presionin. Në të 58-tën u duk sikur Firmino fitoi një penallti, por VAR tregoi se faulli ishte jashtë. Ndërhyrja i kushtoi Balbuenës kartonin e kuq. Për 30 minuta Brazili nuk reshti së sulmuari, ndërkohë që Paraguaji luftonte për mbijetesë.

Firmino dhe Gabriel Xhezus shpërdorojnë raste të pastër golash. Po kështu edhe Everton, ndërkohë që Uillian goditi shtyllën pingule. Pavarësisht presionit, futbollistët e “seleçaos” nuk mundën ta thyejnë “autobuzin” e paraguajanëve, të cilët kishin edhe fatin aleat të tyre.

Për të përcaktuar fituesin e çerekfinales Brazil-Paraguaj në Copa America, për të tretën here nevojiteshin penalltitë. Nuk ka shtesa 2×15 minuta.

Këtu Brazili realizoi katër dhe humbi vetëm Firminio që gjuajti jashtë. Gabriel Xhesus, i fundit, i dhuroi kualifikimin Brazilit. Ndryshe nga 2011, Paraguaji humbi dy penallti, gaboi kapiteni Gomez (priti Alison) dhe sulmuesi Gonzales gjuajti jashtë.

Brazili bëhet gjysmëfinalisti i parë dhe është në pritje të njohjes së kundërshtarit të tij, që do të dalë nga çerekfinalja Argjentinë-Venezuelë, ndeshje që do të zhvillohet në orën 21:00 në mitikun “Marakana”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!