“Frika” e gjermanit Jurgen Klop…
Jurgen Klop u shpall kampion i Europës me Liverpulin dhe u rendit i dyti në Premier League. Ai është ndër trajnerët më të vlerësuar në futbollin e sotëm. Performaca e tij ka ardhur në ngjitje.
I spikatur në radhët e Dortmundit, 52-vjeçari nga Shtutgardi me një karrierë jo për t’u lakmuar si sulmues në rininë e tij, te “Reds”-at e Liverpulit po shkëlqen. Jo vetëm në fushën e blertë të futbollit, por edhe për konceptet dhe mendimet e tij për “magjinë” e kësaj loje, që ka pushtuar mbarë rruzullin.
Disi idealist dhe kontravers me mjedisin ku jeton, trajneri Jurgen Klop është i shqetësuar, madje edhe i frikësuar për tendencat e kësaj loje, ku biznesi po dikton rregullat e zhvillimit të saj.
“Kur isha në Gjermani, më dukej sikur Bayern Mynih ishte një pus që nuk kishte fund.Çdo sesion të merkatos harxhonte shumë. Sikur kishte gjithnjë 100 milionë stërlina në dispozicion”, thotë Klop.
“Në një kampionat, kur ke kaq shumë diferenca në merkato me rivalët, kjo sjell edhe prishje të garës, pasi shumë skuadra nuk mund të shpenzojnë kaq shumë parà. Merkato ka ndryshuar më shumë nga sa kisha menduar.
Po shkojmë drejt asaj që kisha frikë: Futbolli po kthehet më shumë në një çështje parash dhe biznesi. Ky nuk është futboll”, ka deklaruar trajneri i “Reds”-ave, gjermani Jurgen Klop, kampion i Europës.
