Shqipëria: Formula fituese e Rejas…


Ndeshja delikate e Shqipërisë, shkon në favorin e formacionit kuqezi. Reja në pak javë, lexon dhe konturon të tijtë. Ndrrimet dhe tri pikët, i japin notë maksimale teknikut Italian

Shqipëri- Moldavi 2-0 (Cikalleshi 66′, Ramadani 92′)

Shqipëri  e bukur për t’u parë. Në “Elbasan Arena”, skuadra e Rejas me stof ndryshe nga ai i takimit të kaluar me Islandën, e vuri në vështirësi që në fillim kundërshtarin e radhës, Moldavinë. I pari që i afrohet golit është shkodrani Hysaj. Numri 4, pasi vjedh kohën brënda zonës, vonon dhe humbet mundësinë ideale për të shënuar.  Sërish mbrojtësi i Napolit protagonist, ndërsa kronometri ende nuk kishte shënjuar 10. Sikurse në start, edhe këtë radhë, lojtari kuqezi nuk tregohet i shpejtë e konkret.

Ndërkohë në mesin e pjesës së parë, në skenë del njeriu i shtëpisë, Armando Sadiku. Elbasanasi provon me një gjuatje të fortë, por portieri Kosheliev, devijon për mrekulli. Me të tjera aksione, kryesisht nga qëndra, Shqipëria mban lart kundërshtarin, por goli është i ndaluar për fraksionin e parë.  Me startin e  së dytës, teksa Reja vendos të mos ndryshojë, loja mban të njëjtat kuota. Shqipëria që sulmon dhe Moldavia që mbrohet…

Gjithsesi, orvatjet e formacionit shqiptar nuk sjellin atë që të gjithë presin- golin. Dhe Reja trajneri i eksperiencës së madhe, tesksa ka lexuar në detaje tërë lojën e të tijve, bën ndryshimet në momentin delikat të takimit. Një Moldavi aq e “lehtë”, kurrësesi nuk duhet lejuar të kthehet në vendin e saj pa pranuar humbjen  e shqiptarëve.Cikalleshi në vënd të Sadikut dhe Roshi për Lenjanin pa “busull’. Skuadra nis të funksionojë dhe Uzuni-Roshi nxjerrin me “dhunë’ asistin për kavajasin Cikalleshi.

Këtë radhë, gjigandi i sulmit kuqezi (66’) e ka lojë fëmijësh ta shtyjë sferën për në rrjetë. Shqipëria 1-0 Moldavia. Sërish skuadra e Rejas në kërkim të golit të sigurisë. Nuk vonon… moldavët nisin të shohin përpara. Madje në dy tri raste, mjaft rrezikshëm. Edi Reja nga stoli, udhëzon të luhet më pranë kundërshtarit dhe të mos i lihet inisiativa.

Dalëngadalë, me Shqipërinë në avantazh, ndeshja  i afrohet fundit teksa akordohën 5 minuta shtesë. Miqtë tentojnë e provojnë me topa në thellësi . Por kur të gjithë mendonin për të ruajtur fitoren, vjen kryevepra e dytë e mbrëmjes. Aksion sërish nga e majta me dyshen Roshi-Uzuni. Ky i fundit hedh një top në hyrje të zonës, aty ku del “ylberi” dhe Ramadani insistues, depërton në zonë për të dhënë goditjen fatale.

Topi prehet në portë për të dytën herë. Shqipëria ka dyfishuar dhe arkivuar fitoren e dytë në grupin H. Gjashtë pikë dhe pak qetësi deri në shtator. Shqipëri e bukur sonte, beteja të tjera në radhë…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!