Reja: Nuk vjen asnjë fitore pa vuajtur…
Trajneri italian Edi Reja festoi fitoren e parë në stoli ne Kombëtares shqiptare. Pas ndeshjes ai dha një intervistë për emisionin “Kuqezi” në Supersport, ku analizoi lojën e skuadrës sonë. Ndonëse me një përkthim që la për të dëshiruar, trajneri Reja vuri në dukje rëndësinë e triumfit, teksa vlerësoi Uzunin, por përsëriti kritikat ndaj mesfushorëve.
Fitorja e parë para
publikut shqiptar, që ishte e vuajtur, por në fund vlejnë pikët. Si u ndjetë
sot?
Na duhej fitorja dhe e nisëm mjaft
mirë ndeshjen. E rëndësishme ishte që me lojën që bëmë, arritëm të marrim 3
pikët, pasi djemtë ishin ende pak të zhgënjyer pas humbjes me Islandën, ndërsa
me kalimin e minutave shtohej edhe frika.
Pse nuk luajti Xhaka?
Unë kam një grup prej 23-26
lojtarësh, të cilët janë të gjithë të disponueshëm. Ai luajti në Islandë, por
sot e lashë pushim, pasi doja të shihja edhe të tjerë. Ai dhe Basha luajtën
shumë mirë në Islandë, por duhet t’u japim hapësira të gjithëve.
Do të vijoni të luani
me skemën 3-5-2?
Kemi përshtatur skemat në fushë, por
ajo që ka rëndësi është të mësohemi të vuajmë. Futbolli është vuajtje dhe nuk
vjen asnjë fitore pa vuajtur. Ndaj e theksoj se na duhet të kemi shpirtin e
sakrificës dhe vuajtjes, pasi vetëm kështu mund të synojmë fitoren.
A u befasuat nga
mënyra se si mbrohej Moldavia?
E njihja mirë Moldavinë dhe e di që
nuk zhbilancohen lehtë, ndërsa edhe në ato raste kur gjenim hapësira, nuk
arritëm t’i shfrytëzojmë, ndaj na u shtua vuajtja në pjesën e dytë.
Nga cila dyshe
sulmuese mbetët më i kënaqur? Balaj-Cikalleshi, apo Sadiku-Uzuni?
Uzuni është në një formë mjaft të
mirë dhe ka nivel të lartë teknik, gjë që i jep më shumë frymëmarrje sulmuesit
kryesor. Për më tepër, ka luajtur vazhdimisht dhe ka 90 minuta në këmbë, duke
na ndihmuar shumë me manovrat. Por ajo që ne vuajtëm është se depërtimi i
mesfushorëve, gjë që e bëmë më mirë në Islandë, ku ndoshta kishim më shumë hapësira.