Të rinjtë, fitojnë dhe të dytën ndaj Kosovës

Pasi kanë fituar 3-1 në Drenas, Shqipëria U-19 e Nevil Dedes fiton 4-1 edhe në miqësoren e dytë në Prishtinë ndaj bashkëmoshatarëve të tyre të Kosovës.

Shqipëria U-19, e drejtuar nga trajneri Nevil Dede, ka fituar me rezultatin 4-1 ndaj bashkombasve të Kosovës, në ndeshjen e dytë miqësore që u zhvillua ditën e sotme në Prishtinë, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kuqezinjtë e trajnerit Dede kanë dominuar plotësisht në pjesën e parë, duke zhvilluar një lojë të bukur, e orientuar e gjitha në sulm. Ka qënë sulmuesi i Tiranës, Ernest Muçi, ai që ka zhbllokuar ndeshjen në minutën e 23-të falë një penalltie. Loja sulmuese ka dhënë rezultat dhe në minutën e 40-të, sulmuesi i Çelsit, Armando Broja, ka dyfishuar rezultatin dhe ka dërguar skuadrën në dhomat e zhveshjes me rezultatin 2-0.

Pjesa e dytë ka konfirmuar dominimin e Shqipërisë, që ashtu si edhe në pjesën e parë ishin superior ndaj bashkombasve të Kosovës, duke shënuar edhe 2 gola të tjerë. Në minutën e 48-të, Kosova ngushton diferencat me Bytyçin, por kuqezinjtë përgjigjen menjëherë me Muçin në minutën e 56-të dhe Brojan në minutën e 65-të, gola që vulos dhe rezultatin, i cili nuk do të ndryshojë deri në fund.

Muçi dhe Broja, realizuan nga një dopiedë në këtë ndeshje, që ishte edhe e fundit për ekipin e Dedes në Kosovë. Edhe në miqësoren e Drenasit, Muçi (2) dhe Broja, ishin autorët e golave në fitoren 3-1 të Shqipërisë  U-19.

Shqipëria U-19 zbriti në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, me këtë formacion: Malaj, Shiba, Selishta, Hida, Rrahmani, Morina, Rrapaj, Karica, Muçi, Prengaj dhe Broja (U aktivizuan edhe: Rexhepi, Beqja, Arapi, Asllani, Kacbufi dhe Gashi)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!