Berisha dhe Kaçe: Shpresojmë të fitojmë!

Futbollistët e ekipit kombëtar, Etrit Berisha dhe Ergys Kace, në Frankfurt ku janë akomoduar, kanë dalë në konferencë për shtyp, në vigjilje të ndeshjeve kualifikuese të Euro 2020,  më 8 qershor ndaj Islandës në transfertë dhe më 11 qershor në “Elbasan Arena” kundër Moldavisë. Ndërmjet të tjerash, ata u shprehën:

Portieri Ertrit Berisha: “Mund të them që është e mirë. Kemi një trajner me eksperiencë të madhe dhe është munduar ta bëjë ekipin entuziast. Tani për tani, jemi të lumtur, pasi po kalojmë mirë si në stërvitje dhe jashtë. Nuk duhet të kemi presion. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Një rezultat i mirë do të hapte shpresat për kualifikim. Jemi një grup, ku nuk ka shumë diferenca. Luajmë ndaj një kundërshtari direkt për kualifikim, çka do të thotë shumë për moralin dhe vetëbesimin e ekipit. Do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë këtë ndeshje dhe të shohim. I kemi cilësitë e duhura për të marrë një rezultat pozitiv. Mendoj që Islanda, përveç lojës në ajër, ka dhe cilësi të tjera. Gjithsesi, jemi në këtë periudhë ku e kemi në konsideratë këtë gjë. Kemi shumë lojtarë që mund të bëjnë mirë në repartin e mbrojtjes. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë që luajnë në kampionate të rëndësishme. Mund të them që jemi të konsoliduar në këtë repart. Diferencën e kanë bërë gabimet tona. Besoj se do t’i eliminojmë këto gabime dhe do të kemi mundësi për rezultat pozitiv. Nëse dalim mirë nga kjo ndeshje, do të kemi vetëbesim dhe në ato që vijojnë.”

Mesfushori Ergys Kaçe: “Islanda është ekip i fortë dhe ka lojtarë të mire, por edhe ne kemi futbollistë të mirë. Po të japim maksimumin, besoj se do të fitojmë. Sigurisht po të luajmë si skuadër. Sa herë vjen një trajner i ri, lojtarët japin maksimumin se duan të luajnë. Jemi stërvitur mirë dhe jemi gati për ndeshjen. Për tri ditë besoj se do të jemi gati. Me klubet tona i kemi provuar të gjitha skemat, ndaj nuk do të jetë problem. Nuk e di nëse do të luajë titullar, po më aktivizoi trajneri, do jap më të mirën, që të marrim fitoren.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!