Abrashi i veçuar, shqetësimi i Kombëtares…

Amir Abrashi ishte shqetësimi kryesor i trajnerit Edi Reja në stërvitjen e kësaj të marte paradite të Kombëtares në Frankfurt të Gjermanisë. Mesfushori i Freiburgut, i cili kishte pësuar një dëmtim në stërvitjen e pasdites së të hënës, nuk është stërvitur me grupin në seancën e radhës.

Ai është parë i veçuar, pasi ka ndier shqetësime nga goditja e marrë një ditë më parë. Diçka që për momentin nuk paraqitet problematike për trajnerin Edi Reja, por që mund të kthehet në një shqetësim për italianin, duke parë që nga dëmtimet është detyruar të heqë dorë nga disa lojtarë në këtë grumbullim të parin për të.

Sa i përket seancës stërvitore, ajo ka nisur rreth orës 10:00, me trajnerin që e ka patur në dispozicion të gjithë pjesën tjetër të grupit dhe pas ushtrimeve të lehta fizike, ka vazhduar me përgatitje tekniko-taktike, pavarësisht se nuk ka dhënë ende detaje të atij që mund të jetë formacioni i Kombëtares për ndeshjen me Islandën.

Kjo edhe pse nga stërvitja e së hënës, ndoshta dhe për shkak të preferencës së tij me skemën 3-5-2, mund të mendohet se italiani po kërkon të luajë sërish me të njëjtin sistem loje.

Stërvitja e radhës e kuqezinjve do të jetë pasditen e kësaj të marte, në orën 17:00, ndërkohë që përveç stërvitjeve të ditës së mërkurë është parashikuar dhe një seancë e fundit stërvitore, në orën 10:00 të së enjtes, përpara nisjes për në Reykjavik.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!