Trukimet, shpërthen skandali në Spanjë

Arrestohet presidenti Agustin Lasaosa i klubit të Hueskas në La Liga, si dhe disa ish-futbollistë, si pjesëtarë të një bande kriminale, që merrej me trukimin e ndeshjeve të futbollit spanjoll.

Skandali i trukimeve të ndeshjeve ka shpërthyer në futbollin spanjoll. Sipas medieve nga vendi iberik, policia e këtij vendi ka arrestuar disa futbollistë, por edhe disa “ish”, të cilët akuzohen dhe janë nën hetim për një seri ndeshjesh të trukuara në sezonet 2016-2017 dhe 2017-2018.

Gjatë kësaj të marte, policia spanjolle ka bastisur zyrat e klubit të Hueskas, duke arrestuar presidentin Agustin Lasaosa, si dhe mjekun e klubit, Galindo Lanuza. Ndërkohë, nën pranga janë vënë Raul Bravo, ish-futbollist i Real Madridit, Borja Fernandez, i cili sapo ka mbyllur karrierën me Valladolidin, Karlos Aranda. që është aktivizuar në mjaft klube spanjolle.

Në qeli kanë përfunduar edhe Samu Saiz i Getafes, si dhe 36-vjeçari Injigo Lopez që është aktivizuar Deportivo La Korunja. Të ndaluarit janë të gjithë spanjollë dhe akuzohen për trukime ndeshjesh, korrupsion dhe pastrim parash.

Përballë këtij skandali ka reaguar “La Liga”, e cila në një komunikatë zyrtare, ka bërë me dije edhe ndeshjen që dyshohet si e trukuar. Bëhet fjalë për ate midis Hueskas dhe Tarragonas e majit të vitit 2018 (në foton lart), e cila tani është objekt i hetimit të drejtësisë spanjolle.

Nëse akuzat vërtetohen, Hueska mund të përfundojë në kategoritë më të ulëta, deri në zhdukjen e këtij klubi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!