Ljuis Hamilton, “princi” i Montekarlos…
● Të dielën, në orën 15:10, starton Çmimi i Madh i Montekarlos. “Pole” i 85-të në karrierë për britanikun Hamilton. Skuderia “kokëkuqe” e Ferrarit sërish zhgënjen.
Britaniku Ljuis Hamilton i befasoi të gjithë. Pikërisht atëherë kur duhej, ai ishte piloti më i shpejtë në pistën e Montekarlos, duke i rrëmbyer “pole-position” shokut të tij të skuadrës, Valteri Botas.
Kampioni i botës në fuqi, Hamilton e fiksoi kronometrin në 1:10.166, duke e përmirësuar me 0.086 të mijta, kohën e finlandezi Botas. Ky është “pole” i 85-të në karrierën e britanikut Hamilton.
Maks Verstapen i Red Bullit do të startojë nga vendi i tretë, duke patur në krah të tij Sebastian Fetel, i cili në xhiron e fundit, në kthesën e 12-të gaboi, duke humbur një mundësi të mire pozicionimi.
Ferraristi tjetër, i riu Çarls Leklerk, edhe pse në shtëpinë e tij, u skualifikua që në provat e para për shkak të përllogaritjeve të gabuara të skuderisë.
Edicioni i 77-të i Çmimit të Madh të Montekarlos, gara e gjashtë e këtij botërori në Formula 1, do të nisë në orën 15:10 të së dielës, duke patur të parët në start Ljuis Hamilton dhe Valteri Botas, që të dy pilotë të Mercedesit.