Bylis, kampion i Kategorisë së Parë…
● Vllaznia-Bylis 1-3 (Ignat 17’/ Entoni 49′, Bajramaj 61′, Ujka 83′). Trofeun e kampionit, skuadrës ballshiote ia dorëzoi zv.presidenti i FSHF, Lutfi Nuriu. Skuadra ballshiote përfiton edhe 50 milionë lekë të vjetra shpërblim nga Federata.
Bylis i Ballshit shpallet kampion i Kategorisë së Parë për edicionin futbollistik 2018-2019. Skuadra mallakstriote, udhëhoqi grupin B, ndërkohë që përballë pati një emër të madh të futbollit shqiptar, Vllazninë e Shkodrës. Edhe kuqeblutë dominues në grupin A, sikurse Bylis, e kanë siguruar prej javësh pjesëmarrjen në Superiore edicionin e ardhshëm.
Në “Niko Dovana”, finalja dhe shpërblimi për trofeun prej 50 milionësh të vjetër i shkoi skuadrës mallakastriote, e cila i dha leksione të qarta shkodranëve që nga minuta e parë deri në të 90-tën. Loja nisi me epërsinë e Bylisit, që dalëngadalë nisi të rrezikojë portën e Selimajt, ndërkohë që në daljen e parë të veriorëve, skuadra ballshiote shpëton për centimetra.
Nuk zgjat dhe në daljen e dytë, kuqeblutë arrijnë të shënojnë golin me Ignat. 1-0 për Vllazninë. Gjithsesi, muzika është e njëjtë. Mesfusha e Bylis me Zefin, ndër më të mirët në fushë, punon goxha dhe shërben gjithë vijën e parë të sulmit. Shpëtimtar Selimaj në dy-tri raste. Bylis shtyn nga të gjitha anët, godet edhe shtyllën, por goli duket larg.
Në të dytën, ballshiotët e nisin aty ku e lanë. Sulm frontal përballë një Vllaznie, që dukej sikur e kishin sjellë më pahir në finale. Lika, Krymi, Tafili, Kruja, janë në hije. Për të mos folur pastaj për mbrojtjën, e cila në çdo sulm të kundërshtarit, partner pati vetëm panikun.
Bylis luan bukur dhe në të 49’ realizon një supegol me Entoni. Me entuziazmin prezent, ekipi i presidentit Kapllanaj, ngulmon pambarimisht. Me këtë rrjedhë të lojës, goli i dytë i Bylisit, thjesht çështje kohe.
Atë e shkurton Bajramaj, ndërsa në të 61’, gjen avantazhin për skuadrën e tij. Disa tentativa të shkodranëve për të barazuar, sfumohen shpejt dhe Bylis godet për herë të tretë. Serxhio Ujka në kontaktin e parë me topin (u fut si zëvendësues) i dërgon në tre golat e mallkastriotëve, duke fiksuar rezultatin 3-1 për Bylisin.
Fundi afron festën dhe ballshiotët, që veç tri golave, goditën dhe dy herë të tjera shtyllën, me shumë meritë fituan trofeun e Kategorisë së Parë.