Reforma e së Parës, pas 2-3 vitesh…
Shefi i sektorit të garave në FSHF, Lysien Nurishmi, i ftuar në emisionin “E Hëna Sportive” në RTSH, ka deklaruar se planet e FSHF-së për ndryshimin e formulës së Kategorisë së Parë i përkasin të ardhmes. Sipas tij edhe në sezonin e ardhshëm formula nuk do të ndryshojë, por se FSHF-ja do të jetë më e ashpër ndaj licencimeve të klubeve, theksoi ndër të tjera, shefi i garave Nurishmi.
NDRYSHIMI I FORMULËS – “Normalisht për sezonin që vjen s’do të preket numri i skuadrave, pasi rregullorja e thotë që klubet duhet një njoftohen një vit para për ndryshimet e formulës. Ne planifikojmë që pas dy ose tre vitesh të kemi një numër të reduktuar skuadrash. Kjo do të hidhet si ide në mbledhjen e komitetit të garave. Mund të jetë një reformë e dhimbshme për disa nga klubet e kësaj kategoria. Ndoshta në të ardhmen nuk do të kemi më dy grupe, kjo ndarje është bërë më parë për të zvogëluar shpenzimet e transportit. Ne synojmë që ta çojmë Kategorinë e Parë sa më afër Superiores. Këto javë do ulemi në tavolinë me klubet dhe më pas vendimi final do të merret nga komiteti ekzekutiv. Skema do të miratohet para hedhjes së shortit, pra nga fillimi i muajit gusht”.
INFRASTRUKTURA – “Skuadrat që nuk kanë mundësi për të zhvilluar ndeshjet në qytetet e tyre, do t’u vendoset një afat 2-vjeçar për të plotësuar kushtet në stadiumet e tyre. Këtë sezon kemi pasur raste si Veleçiku dhe Vora të cilat nuk kanë luajtur në kushtet e tyre. Vora për shembull i ka pasur mundësitë për të filluar punën për një stadium në qytetin e tyre. E ka thënë dhe presidenti Duka, do fillojmë vitin 0 përsa i përket licencimeve. Klubet duhet të investojnë për të krijuar kushtet për të ardhur në Superiore. Nuk duam të kemi më raste si Kastrioti që luan jashtë qytetit të tyre”.
PRECEDENTI KAMZA – “Me rënien e ekipit të Kamzës u krye një mundësia për një skuadër të tretë që të plotësonte numrin e 20 ekipeve që duhet për të plotësuar Kategorinë e Parë. U mendua që t’i jepej mundësia humbësve të “play-off”-it, ky vendim u vendos për shkak të infrastrukturës dhe kritereve të cilat klubet e Kategorisë së Parë i kanë më të mira. Marrim për shembull ekipin e Gramshit që ka një stadium të amortizuar që me shumë mundësi nuk do të plotësojë as kushtet e licencimit për Kategorinë e Dytë”.
LICENCIMET E DEVOLLIT DHE TËRBUNIT – “Mesa dijeni kam unë Tërbuni i ka kushtet minimale për të luajtur në Kategorinë e Parë, por për këtë do të kryhet një inspektim nga sektori i licencimit. Devolli ka goxha punë për të bërë pasi është një stadium i ri, por duke parë puën dhe dëshirën e drejtuesve them se këto kushte do të plotësohen shumë shpejt”.
KATEGORIA SUPERIORE – “Skema aktuale e Kategorisë Superiore funksionin mirë. S’do të ketë ndryshime. Ndoshta në të ardhmen nëse nuk do kemi më kaq shumë probleme me licencimet mund të rritet numri i ekipeve në Kategorinë Superiore”.
VLLAZNIA – “Në grupin e veriut ka pasur shumë pak konkurrencë për kreun. Në grupin e jugut situata ka qenë disi me ndryshe me dy, tri ekipe që luftuan për kreun. Vllaznia tani duhet të mendojë për përforcimet, pasi siç dihet diferencat midis Kategorisë së Parë dhe Superiores është shumë e lartë. Rikthim i Vllaznisë i bën mirë Superiores, është një klub i madh me një stadium të mirë”.
BYLIS – “Ishte një nga skuadrat më të mira përsa i përket organizimit. Kanë një stadium që plotëson shumicën e kritereve e Superligës, megjithatë kanë ende disa kushte për të plotësuar, si vendet e posaçme për mediet, kamerat e transmetimit dhe kamerat e sigurisë dhe dhoma e kontrollit. Edhe përsa i përket gjobave, janë ndër ekipet që janë gjobitur më pak, kjo tregon edhe një emancipim të drejtuesve, të cilët nuk e shohin futbollin si një arenë lufte”.