Futbolli është kthyer në shtëpi!…

Nga Bashkim Tufa

Kështu mund të shprehen gazetarët anglezë. Dhe kanë të drejtë. Për herë të parë në historinë e futbollit kontinental, katër skuadra britanike, do të përballen midis tyre për dy trofetë më të rëndësishëm të futbollit europian: Liverpul-Totenhem për Champions League, ndërsa Arsenal-Çelësi për Europa League.

Krenaria e tyre është e ligjshme. Madje edhe lotët e teknikut Poçetino, të lojtarëve, të tifozëve, janë të justifikuara. Britanikët, në tri netë ishin magjikë, befasues për ne europianët…

Magjia e parë ndodhi në “Anfild Roud”. Të martën, “Reds”-at e gjermanit Klop përmbysën dhe eliminuan Barcelonën e Mesit me kompani. Një ditë më pas erdhi edhe magjia e dytë. “Spërs”-at e argjentinasit Poçetino “e vranë” Ajaksin me “harkun” tij, brenda në “Johan Krujf Arena” të Amsterdamit.  

Ishin dy ndeshje në kufinjtë e përrallës, e të pa imagjinueshmes. Ishin dy fitore zemre, e luftës dhe shpirtit të lartë sportiv. Ishin dy ndeshje që konfirmuan epërsinë e futbollit ishullor. Dhe për të kompletuar historinë e kuartetit britanik, sa magjike, aq edhe shprehëse, të enjten, pavarësisht nga ndryshimet, Arsenali dhe Çelësi, formojnë çiftin finalist të Bakusë.

Sot, futbolli europian flet anglisht. Anglia aktualisht është “kryeqyteti” i futbollit në kontinentin e vjetër. Dhe kjo histori nuk ka nisur tani, në ditët e para të këtij maji të 2019-tës. Ka nisur shumë më tepër se një dekadë më parë…

“Il calcio piu bello del mondo” i Serisë A së viteve ’80-’90 filloi të zbehet, për të ngjitur më pas në skenë europiane, futbollin iberik. Në fillim të shekullit të 21-të, në gadishullin spanjol, nisi “epoka” e Mesit, e Kristiano Ronaldos, Ksavit, Injestës, ndërkohë që “furitë e kuqe” të Spanjës në dekadën e parë do të shpalleshin kampionë të Botës dhe të Europës.  

Por jo larg gadishullit iberik, ashtu në heshtje, anglezët nga sezoni në sezon nisën t’i “vjedhin” futbollin europianëve. Fillimisht investuan në infrastrukturë. Më pas në fushën e trajningut sportiv. Hapën dyert e importimit e lojtarëve europianë, me francezin e famshëm Erik Kantona, apo ukrainasin Sergei Shevçenko, e shumë e shumë të tjerë…

Për të vijuar me trajnerët, ku pionieri francez Arsen Venger, do të pasohej së fundmi nga italianët Ranieri e Konte, portugezi Murinjo, spanjoli Guardiola, për të mbërritur tek argjentinasi Poçetino apo gjermani Klop, që të gjithë së bashku, me koncepte, shkolla dhe formime të ndryshëm, punuan për të reformuar futbollin anglez.

Kuptohet, nuk kanë arritur deri te rifinitura, te i ashtuquajturi “futboll total”, por ato krosimet tipike angleze nga krahët, tashmë janë harruar dhe i përkasin një të kaluare të largët. Në Angli, aktualisht luhet pak dhe njihet edhe “tiki-taka” spanjole…

Sot, mbarë bota, Europa po e po, i kanë sytë drejt Madridit dhe Bakusë. Në pritje të magjive të reja të futbollit britanik, i cili tani është në zenitin e tij. Atje ku për dy ditë, Liverpul-Totenhem dhe Arsenal-Çelësi, do të përballen, me një gjë të garantuar: shpirtin e lartë të garës, betejën për të fituar deri në frymën e fundit. Pse jo, edhe me një nivel cilësor të lakmuar…

Futbolli është kthyer në “shtëpinë” e tij. Duket ka nisur “epoka” e futbollit britanik…  

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!