Magjia numër 2, e ka emrin Totenhem…


Totenhemi gllabron në 45′ Ajaksin. Nga 0-2 në 2-3. Finale e gjitha angleze me Liverpul-Totenhem ne “Vanda Metropolitano” të Madridit në 1 qershor.

Ajaks-Totenhem 2-3 (De Ligt 5′, Zijek 36′ / Lukas Moura 55′, 59′, 90’+6′ )

Isuf Myrtaj

Lukas Moura, Lukas Moura, Lukas Moura. Nuk është lapsus. Është prerja më e re e një kampioni të madh të botës së futbollit. Nën fanelën e Totenhemit heroik, braziliani shënon tri gola madhështorë dhe rrëmben “John Krujf”-in për një natë. Totenhem Hotspur pa Kejn të dëmtuar, udhëtoi drejt Amsterdamit për të kërkuar biletën e finales së Madridit, ndërsa me disavantazhin e një goli nga ndeshja e parë, kishte deklaruar se do provonte të kalonte me çdo kusht në finale. Përballë, djemtë e Ajaks dhe si “harkëtarë” të devotshëm, i thyen në “mes” miqtë, teksa pa kaluar 5 minuta lojë, gjejnë golin me kapitenin De Ligt. Spërsat në vështirësi, provojnë të dalin përpara dhe rastet nisin të vijnë. Por edhe vëndasit janë po ata të “dikurshmit”, teksa me Zijek e Tadiç, i afrohen golit të dytë. Nuk vonon, dhe në të 36’ Zijek, shënon të dytin, duke i vënë “kapak” pjesës së parë e kthyer lavdinë e përkohshme te ekipi i Ten Hag.

Por qënka e shkruar. Skuadrat angleze, do të diskutojnë finalen e madhe të “Vanda Metropolitano”-s në 1 qershor. Magjia numër 2, nis të gatuhet dhe ai që rrit shpresën se kjo mund të vijë edhe në 45’, është grupi me fuqi të pashtershme i ishullorëve anglezë. Lukas Moura në 55’ dhe në 59’ shpejt e shpejt, rikthen besimin, ndërsa në shkallët e “Johan Krujf Arena” nis të zotërojë paniku. Presion i madh nga miqtë, duele, përplasje. Në mes një shtyllë e Zijek për vëndasit dhe në fund, magjia që mban emrin Lukas Moura për miqtë. Ngjau në të 96’-ën. Poçetino, ndersa kishte minuta që ishte në “kanatiere”, vrapon si i çmendur për të festuar.

Në Amsterdam, ka dramë. Ajaksi i “vogël” që kishtë bërë “shkrumb e hi” më herët Realin e Juven, më në fund, është dorzuar. Ka lot nga të dyja anët. Te vëndasit dëshprimi nuk ka fund, ndërkohë që në kampin e londinezëve, festa e mbrëmjes së çmendurive të pazakonta. Dhe kur ata vijnë brenda 48 orëve nga i njënjti kampionat, në trajtën e një pakete “angleze”, atëherë diçka e pazakontë duhet të ketë ndodhur në ishull. Totenhem pas 35 viteve në finale. Liverpul-Totenhem, mbretërit e pashpallur të Madridit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!