Llapi intrigon titullin, kalon Prishtinën…
Fundi i sezonit në futbollin kosovar është mjaft intrigues. Titulli kampion në IPKO Superligën e Kosovës, është shndërruar në një mini-kampionat midis tri pretendenteve që nga java në javë intrigojnë. Vështirë të bësh prognozë. Feronikeli, Llapi dhe Prishtina, ruhen të mos gabojnë, por edhe të përfitojnë nga gabimet e njeri-tjetrit.
Falë hapit fals të Prishtinës në barazimin 1-1 dje në transfertë ndaj Dritës, sot Llapi shpartalloi 4-1 në stadiumin e tij “Zahir Pajaziti” ekipit e Trepçës ’89, duke siguruar një fitore me mjaft vlerë. Me këto 3 pikë, skuadra e Podujevës renditet e dyta, duke ndërruar vend me Prishtinën, edhe pse të dyja skuadrat kanë nga 69 pikë.
Gjithsesi, dy ndeshjet e radhës, me Prishtinën në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet dhe Feronikelin në Drenas, do të kenë përcaktuese për llapjanët në çështjen e titullit. Dhe jo vetëm për ta, por edhe për Feronikelin dhe Prishtinën, që kanë llogari për të larë midis tyre.
Edhe pse 1-0, një fitore me mjaft vlerë siguroi Flamurtari në transfertën e Gjilanit. Me këto 3 pikë të fituara, skuadra kuqezi e Prishtinës, u largua nga zona e mbijetesës. Ndërkohë, Ballkani fitoi 3-0 ndaj KEK-ut të fundit, ndërsa Ferizaj me fitoren 3-1, fundosi Lirinë e Prizrenit, të cilën vetëm matematika e mban në IPKO Superligën e Kosovës.