Luhet e 32-ta, Partizani drejt titullit kampion

Flamurtari-Partizani 0-3   (Asani 27’, Mensah 52’, Çinari 90′)

Kryesuesi i Kampionatit të 80-të Kombëtar të Superores, Partizani, arriti të fitonte një ndeshje me shije titulli, ndërsa në Vlorë, mposhti thellë Flamurtarin në shifra 0-3. Por veç tri pikëve dhe mundësisë së madhe për t’u shpallur kampion përpara kohe, “të kuqtë” humbën dy nga lojtarët bazë të formacionit. Protagonistët Emanuel Mensah dhe Jasir Asani nuk luajnë në derbi, pasi u ndëshkuan me kartonë të verdhë dhe plotësuan numrin 4. Flamurtari dha shenja dorezimi, tashmë Europa, edhe pse prezente, pas kësaj paraqitjeje duket një rebus.

Teuta-Luftëtari 0-0

Teuta i bëri keq llogaritë në takimin me Luftëtarin. Shansin më të mirë për t’u ngjitur në rënditje, skuadra e Shkëmbit e shpërdoroi në shtëpi dhe për këtë, të gjithë në kampin durrsak, ndihen të mërzitur. Nga ana tjetër, Luftëtari i Ahmatajt, vijon të surprizojë me paraqitje prej kampioni. Skuadra nga “qyteti i gurtë”, mbetet ekipi solid dhe i pamposhtur për javë të tëra. Teuta nuk bindi, e tha vetë tekniku i “djemëve të detit”, që skuadra e tij nuk po gjen dot çelesin e suksesit.

“Mendoj se sot nuk funksionoi pjesa sulmuese. Kundërshtari na e bëri shumë të vështirë me mënyrën si luajti. Për të shkuar te goli, duhet më shumë cilësi. Kundërshtari mund edhe të na ndëshkonte. Kemi punuar gjithë javës me mënyrën si do të luanim me Vajushin. Nuk është mirë të ndryshosh në minutën e fundit, nuk dua të justifikohem. Na duheshin pikët, që për fat të keq, nuk arritëm t’i merrnim të plota, por ekipi pati më shumë dëshirë në këtë ndeshje”.

 Tirana–Skënderbeu 1-0  (Hasani 90’+1)

Në “Selman Stërmasi”, Tirana e Memës fitoi takimin më të rëndësishëm të këtij kampionati. Rritja graduale e kryeqytetasve, u duk që në takimin e kaluar në Gjirokastër, ndërsa iu iku fitorja nga duart, por stabilitetin e periudhës së fundit, tiranasit e shfaqen sot ndaj kampionëve nga Korça. Megjithëse vendasit kanë vuajtur në fraksionin e parë, në të dytën u treguan më raciolanë dhe në fund, me Hasanin, shënuan golin vendimtar të konvertuar me tri pikë. Pas golit të Tiranës, në tribunën VIP, djali i presidentit Takaj, Gerhard Takaj, njëkohësisht administrator i klubit Skënderbeu, u konfrontua me një nga tifozët e Tiranës, duke krijuar kaos në një stadium të boshatisur!?

Hasani, protagonist, tha: “Luajtëm mirë dhe morëm 3 pikë që na shërbejnë shumë. Ndeshjet e fundit janë emocionuese, duhet të bëjmë më të mirën. Sa i përket rastit të golit i kërkova gjyqtarit të jepte penallti, por po e prisja edhe topin në momentin që ka goditur Greca dhe me besim në vetvete shënova. Të japim shpirtin në fushë, të “shtrëngojmë dhëmbët” dhe të kërkojmë 3 pikët”.

 Laçi-Kastrioti 1-1  (Lushkja 90’+2′  / T. Marku 81’)

“Derbi” Laçi-Kastrioti përfunoi 1-1. Një sifdë që ka nisur me disa orvatje të miqve, të cilët japin shkëndija se drejt Laçit kishin udhëtuar për tri pikë.  Nga ana e vet ekipi i Starovës e nis me ritëm të ulët. Madje për shumë minuta, Çekrezi i Kastriotit nuk u vu asnjëherë në provë. Por me kalimin e  minutave, Xhixha dhe Shtubina, të udhëhequr nga  Nikolla Eler në formë, nisen të shtojnë sulmet. Gjithsesi, edhe pjesa e dytë nis keq për Laçin, që i duhet t’i përvishet një punë të madhe përballë krutanëve që rrisin ndjeshëm presionin. Ka raste në të dyja portat, por goli do të vijë nga miqtë në minutën e 81-të me T. Markun. Të shokuar nga goli, bardhezinjtë provojnë me të gjitha mënyrat. Në kohën shtesë, Lushkja me një goditje qëndrore por mjaft të fortë, e dërgon sferën në rrjetë. 1-1. Ky takim i ishte besuar një treshjeje nga Luksemburgu, që në disa raste, u duk sikur ishte nën nivelin e duhur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!