Feronikeli në krye i vetëm, Prishtina gabon
Sot luajtën të dyja skuadrat pretendente për titullin kampion në IPKO Superliga të Kosovës. Që të dyja në transfertë. Feronikelit i ka mjaftuar një gol i Astrit Fazlliut në minutën e 66-të, që të fitojë 1-0 në transfertën ndaj Drenicës.
Me këtë rezultat, skuadra e Zekirja Ramadanit shkëputet e vetme në krye të renditjes. Feronikeli me këto 3 pikë të fituara, ngjitet në kuotën e 71 pikëve, 2 më shumë se Prishtina ndjekëse.
Kjo për faktin se skuadra kryeqytetase e Prishtinës, barazoi 1-1 ndaj Dritës në Gjilan. Madje, gjilanasit, kampionë në fuqi, kaluan të parët në epërsi. Në minutën e 7-të, Gërbeshi nuk gaboi nga pika e penalltisë. Prishtina barazoi në 1-1 në minutën e 56-të me anë të Mankendës.
Kur kanë mbetur vetëm 3 javë nga fundi i kampionatit kosovar, Prishtina komplikon sërish garën për titull. Feronikeli tashmë udhëheq i vetëm, madje edhe është i shkëputur me 2 pikë më tepër.