Leo Mesi, “jashtëtokësor”: arrin në 600 gola!

● Me dopiedën ndaj Liverpulit, argjentinasi shënon golin e 600-të në karrierën e tij, duke barazuar “rekordin” e arritur nga portugezi CR7 kundër Interit
Yjor, jashtëtokësor… Nuk ka më mbiemra rruzulli, për të cilësuar një gjeni futbolli, si Leo Mesi.
Asi i Barcelonës shënoi një dopiedë në ndeshjen e parë gjysmëfinale që përfundoi 3-0 kundër Liverpulit në “Kamp Nou” (tepër larg dhe i kalibruar si me telekomandë goli i dytë), duke arritur në kuotën e 600-të golave me fanelën e katalanasve në të gjitha garat.
Argjentinasi “barazoi” kështu Kristiano Ronaldon, i cili me golin e tij ndaj Interiy prekte 600 gola në karrierën e tij me katër ekipe klubesh që ka luajtur.
Rastësi e pabesueshme. Mesi ka shënuar golin e tij të 600-të, pikërisht 14 vjet pas golit të tij të parë kundër Albacetes, më 1 maj 2005.
600 golat e Mesit janë të ndarë: 417 në La Liga, 50 në Kupën e Mbretit, 112 në Champions League (12 në nëntë ndeshje të këtij edicioni), 13 në Superkupën spanjole, 3 në Superkupën Europiane dhe 5 në Kupën e Botës midis klubeve.
“Është e vërtetë, mund të shënojmë më shumë, akoma nuk ka mbaruar. Por duhet të jemi të lumtur me këtë ndeshje, – ishte komenti i Leos në fund të ndeshjes. – Goditja e dënimit? Eshtë e vërtetë, ishte një gol spektakolar. Por unë isha gjithashtu me fat, që gjeta trekëndëshin e portës…”.
Kur rezultati ishte 2-0, Mesi u bëri shenjë tifozëve të heshtnin. “Po fërshellenin Kutinjon, nuk është e drejtë. Ne duhet të qëndrojmë së bashku për të fituar atë që ka mbetur për të fituar”, – tha jashtëtokësori Leo Mesi.