Siti rimerr kreun, edhe dy javë larg titullit…

Mançester Sitit i ka mjaftuar Aguero për të fituar 1-0 në fushën e Bërlejn në javën e 36-të të Premier League. Argjentinasi ka shënuar në minutën e 63-të, duke i ringjitur “Qytetarët” në krye të renditjes me 92 pikët e grumbulluara.
Tani për skuadrën e Guardiolës kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u shpallur për së dyti kampionë të Anglisë. Siti do të përballet në “Etihad” me Leiçesterin, ndersa takimin e fundit do ta zhvillojë ndaj Brajtonit në transfertë.
Liverpulit të gjermanit Jurgen Klop, që renditen i dyti, me vetëm 1 pikë më pak, i ka mbetur vetëm të shpresojnë që në këto dy sfida të ardhshme, “Qytetarët” të bëjnë ndonjë hap fals, çka sipas medias britanike, mundësitë janë të pakta.
Ndëkohë, Arsenali i largohet akoma më tepër zonës Champions, pasi u mposht 3-0 nga Leiçester, në atë që ishte edhe humbja e tretë radhazi për “Topçinjtë” e Londrës, që për 60 minuta luajnë me 10 lojtarë në fushë.
Të tre golat e miqve u shënuan në pjesën e dytë nga Tielemans dhe Vardy që realizoi dy herë në portën e Lenos. Arsenali mban vendin e 5-të me 66 pikë, ndërsa Leiçester është i 8-ti me 51 pikë.
Edhe Mançester Junajtit, ndoshta humbi mundësinë për të luajtur në Champions League. “Djajtë e kuq” barazuan 1-1 në “Old Traford” me “blutë” e Londrës. Në këtë takimin “personazhet” ishin të gjithë spanjolë. Mata arriti të shënojë në minutën e 7-të, ndërkohë që për Çelsin barazoi në 1-1 Marko Alonso në të 43-tën, që shfrytëzoi me zgjuarësi një gabim të portierit De Gea.
Çelsi ruajti vendin e 4-t me 68 pikë, ndërsa Junajtid është pozicionuar në të 6-tin me 65 pikë, ndërkohë që midis tyre renditen “topçinjtë” e Arsenalit. Pra tri skuadra, që në dy javët në vazhdim, do të luftojnë për biletën në Champions League të sezonit të ardhshëm.