Kamza, “shtëpia” e re e Kukësit…
Po kështu do të jetë. Ndryshe nga sa ishte folur më herët, stadiumi “Fuat Toptani” i Kamzës, do të jetë “shtëpia” e re skuadrës së Kukësit. Me shumë gjasa, deri në përfundim të këtij sezoni.
Sipas burimeve të besueshme të “Sporti IM”, klubi verilindor duket e ka “tradhëtuar” përfundimisht stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit.
Qysh të mërkurën e 24 prillit, skuadra e Kukësit takimin e parë gjysmëfinal të Kupës së 67-të të Shqipërisë ndaj Skënderbeut, do ta zhvillojë në stadiumin “Fuat Toptani” të Kamzës.
Që pas përjashtimit i Kamzës nga kampionati i Superiores, kryebashkiaku i këtij qyteti, Xhelal Mziu, është deklaruar i gatshëm për të dhënë me qera stadiumin “Fuat Toptani” dhe mjediset e tij, për cilëndo që do ta kërkonte.
Nuk është hera e parë që skuadra e Kukësit ndeshjet e saj i ka zhvilluar në stadiumin e Kamzës. Kjo për shkak se në këtë qytet jetojnë mjaft ish-banorë të Kukësit dhe skuadra verilindore mbështetet më mirë nga tifozë të saj.
Por drejtuesit e klubit të Kukësit janë “divorcuar” me stadiumin e Kamzës, here për shkak të humorit të prishur të tyre, por here edhe për ngarkesën e madhe që duhej të përballonte ky stadium, kur edhe Kamza ishte ende në garë.