Emanuela Rusta, risia e javës së 24-të…
Risia e javës së 24-t nuk ishte fakti se Vllaznia ka mposhtur Korabin me një gol që në tunnel. As ajo që skuadra shkodrane tashmë do të jetë një prej “personazheve” të Superiores sezonin e ardhshëm. Edhe kjo është thenë që javën e shkuar.
Risia e kësaj jave ishte fakti, se gjyqtarja e FIFA-s Emanuela Rusta gjykoi në stadiumin “Loro Boriçi” takimin Vllaznia-Korabi, duke shënuar kështu një ngjarje të veçantë, jo vetëm në karrierën e saj personale, por edhe në historinë e futbollit shqiptar.
Për here të pare, një gjyqtare femër, në rastin konkret gjyqtarja elbasanase Rusta, drejton një ndeshje në kampionatin e Kategorisë së Parë.
Gjyqtarja Emanuela Rusta, u bë e njohur për publikun shqiptar të pasionuar pas futbollit, në derbin e kryeqytetit, Tirana-Partizani, ku krahas ndërkombëtarit Jorgji që drejtoi këtë takim, Rusta ishte gjyqtare pas porte, të një supersfide siç është derbi i kryeqytetit.
Në ndeshjen e sotme, Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Korabit, ku kapiteni Ardit Krymi, realizoi që në minutën e 2-të. Rumuni Dan Ignat, në të 21-tën pati rastin të dyfishonte fitoren e shkodranëve nga pika e penalltisë, por gjuajtja e tij u prit nga portieri dibran.
Pas kësaj fitoreje, e teta në radhë, Vllaznia ngjitet në kuotën e 37 pikë në grupin A, e ndjekur nga Besëlidhja me 12 pikë më pak, duke siguruar përfundimisht “biletën” për në Superiore sezonin e ardhshëm.