Superiorja, java e surprizave

Nga Erga Kruja Kenga
● Java e 29-të pak gjëra “zgjidhi”. Kukësi, Teuta dhe Laçi, i largohen Europës. Shfaqet Flamurtari. Tirana fiton 3 pikë dhe qetësinë e munguar
Partizani, edhe pse pa luajtur ndien, ose më saktë, ka nisur ta shijojë aromën e titullit. Ata paten “fatin” të marrin 3 pikët në tavolinë të Kamzës. Gjithsesi, pas 26 vitesh,“të kuqtë” janë kampionë dhe vetëm matematika nuk i le të festojnë që tani.
Kampionati i 80-të kombëtar i Superiores, ishte një kampionat i dominuar tërësisht prej tyre, ndërkohë që ndjekësit e skuadrës së Partizanit, kanë gabuar shumë, madje jashtëzakonisht shumë. Rivaliteti i tyre me “demat”, më tepër ka qenë në distancë dhe tepër mediatik.
Kukësi dukej si alternativë kryesore për titull, por humbja 2-1 me Flamurtarin në “Elbasan Arena” duket sikur u ka vënë kapak ambicieve të tyre. Pretendimet e tyre e kanë ulur stekën, nga kampion, në një biletë për Europën.
Sakaq, është ngritur në piedestal skuadra kuqezi e vlonjatëve, që tashmë është në vendin e tretë dhe kërcënon seriozisht për të dytin. Flamurtari është befasia e të gjithëve, ka grumbulluar 47 pikëve, një më pak se kuksianët.
Pas humbjes 1-0 në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, që po kërkon me lojëra dhe rezultate t’i largohet garës së mbijetesës, skuadra e Laçit rregjistroi humbjen e dytë radhazi dhe duket e dorëzuar për Europën. Megjithëse kurbinasit u besojnë mjaft thënies, shpresa vdes e fundit. Ka ende edhe 6 javë për t’u luajtur.
Skënderbeu, si për të treguar që është ende kampioni në fuqi, i dha një leksion të hidhur ëndrrës krutane për mbijetesë. E mundi 4-0, duke u hakmarrë edhe për ngjajrjet e ndodhura në stadiumit “Redi Maloku” në Fushë-Krujë në fazën e tretë.
Tirana në një nga ndeshjet më të mira të sezonit, arrin fitoren 3-1 në Durrës, duke i siguruar vetes edhe një fare qetësie përpara sfidës së ardhshme me Kukësin.
Ndërkohë që Teuta vazhdon në rënie të lirë dhe tashmë, Europa duket akoma larg dhe u duhen shumë mund e sforco për ta arritur.
Kjo ishte panorama e javës së 29-të, një jave me shumë ndeshje të bukura dhe natyrisht, me shumë maja lapsi të prishur në tavolinë. Llogaritë, duke përjashtuar Partizanin, për të tjerët janë të vështira për t’u bërë…